Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani ka kërkuar nga Kryeministri Isa Mustafa ta lirojë nga detyra deri në momentin e shpalljes së pafajësisë së plotë, transmeton Koha.net.
Në vijim mund ta lexoni letrën e plotë të Ministrit Agani dërguar Kryeministrit Mustafa.
“I nderuari z. Kryeministër,
Duke pas parasysh ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria e Shtetit ndaj meje;
I bindur në pafajësinë time të plotë përkitazi me çështjen që është subjekt i aktakuzës;
Në pajtim me parimin e qeverisjes së pastër pa asnjë dyshim në bartësit e funksioneve publike; dhe
I përkushtuar që drejtësia të kryej punën e saj në mënyrë të papenguar,
Kërkoj nga Ju që të më lironi nga detyra e Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor deri në momentin e shpalljes së pafajësisë sime të plotë”.