Vdekja e Xhenetës në Prizren: Peticion për dorëheqjen e Mujës, Shalës dhe Aganit

Xheneta Gashi e cila vdiq javën që shkoi si pasojë e shembjes së shtëpisë së familjes së saj në Qendrën Historike në Prizren, ka bërë që shumë qytetarë, organizata joqeveritare, zyrtarë të institucioneve, shoqëria civile etj të ngrenë zërin ndaj kësaj tragjedie.

Dje në qytetin e Prizrenit, nën organizimin e shoqërisë civile është mbajtur një protestë në të cilën është kërkuar dorëheqja e kryetarit të Komunës, Ramadan Muja.

Po ashtu është kërkuar edhe dorëheqja e ministrit të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Aganit dhe ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, transmeton Telegrafi.

Këto dorëheqje janë kërkuar pasi që organizatorët e protestës i quajnë përgjegjës për vdekjen e 3 vjeçares, Xheneta Gashi, të vdekur ditë më parë.

E përpos protestës, tashmë Koalicioni i OJQ-ve të Prizrenit ka krijuar një peticion online për nënshkrimin e dorëheqjes së personave më lartë.

Në të dhënat e këtij peticioni shkruan: “Dorëheqje për tragjedinë e Prizrenit. Drejtuar: Kryetarit të Komunës së Prizenit, Ramadan Muja; Ministrit të Kulturës, Kujtim Shala; dhe Ministrit të Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani”.

Ky koalicion i OJQ-ve ka vlerësuar se vdekja e tre vjeçares Xheneta Gashi në Prizren ishte rezultat i papërgjegjësisë institucionale.

Për këtë arsye, si veprim minimal të përgjegjësisë morale për këtë tragjedi, ata po kërkojnë dorëheqjen e Kryetarit të Komunës së Prizrenit dhe dy ministrave të qeverisë së Kosovës.

Temat
LajmeVend

Të afërta