Një emër i lavdishëm i futbollit italian ishte i pranishëm në seancën stërvitore të ekipit kuqezi në Marsejë. Ish-portieri i Italisë, Walter Zenga, ndoqi nga afër përgatitjet e skuadrës së drejtuar nga kolegu i tij, Gianni De Biasi, por këtë herë në cilësinë e komentatorit të kanalit publik italian, RAI.
Ish gardiani i Interit në një intervistë ekskluzive për Supersport, analizoi ecurinë e Shqipërisë, duke shprehur bindjen se grupi i krijuar nga De Biassi mund të bëjë surprizën ndaj Francës.
“Është një ndeshje shumë e komplikuar, sepse Franca është skuadra e vendit organizator dhe do të ketë mbështetjen e publikut, por sot futbolli ka ndryshuar dhe nuk mund të jesh asnjëherë i sigurt se çfarë ndodh në një ndeshje, pasi skuadrat janë shumë më të organizuara dhe në fillim është përherë shumë e vështirë për çdo ekip”, ka theksuar ai.
Më pas, Zenga ndalet te skuadra e ndërtuar nga De Biasi duke evidentuar pikat e forta të skuadrës shqiptare: “De Biasi ka ndërtuar një grup, një skuadër të bashkuar dhe të organizuar dhe ky është një avantazh. Ndaj Zvicrës edhe me 10 lojtarë skuadra krijoi disa raste për shënim dhe kjo tregoi se ekipi ka cilësi edhe pse në 20 minutat e para Shqipëria vuajti presionin si debutuese dhe kjo është normale”.
Për Zengën, formati i këtij Evropiani është disi i veçantë, pasi të gjitha skuadrat mund të luftojnë deri në fund me shpresën te kualifikimi për në fazën tjetër dhe Shqipëria nuk bën përjashtim.
“Me këtë format në Evropian nuk ka asgjë të paarritshme, me pak fjalë një skuadër duhet të japë gjithçka dhe në fund të mos ketë asnjë peng”, ka deklaruar ai.
I pyetur nëse një ditë e shikon veten në stolin e Shqipërisë, Zenga përgjigjet: “Më pëlqen të kem një eksperiencë me kombëtaret, por në këto momente Shqipëria ka De Biasin dhe Tramezzanin, prandaj duhet të vazhdoni në këtë rrugë”.