Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Konferencën Rajonale me temë “Kërcënimet ndaj Sigurisë Bërthamore“.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa ka ritheksuar përkushtimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e angazhimeve globale të botës demokratike.
“Organizimi i Konferencës Regjionale për Siguri Nukleare në Kosovë është rasti më i mirë që përfaqësuesit e shteteve të regjionit të shkëmbejnë praktikat më të mira të mbrojtjes të materialeve bërthamore, të iniciojnë progres në ndërtimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve në regjion me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kërcënimeve ndaj sigurisë bërthamore dhe radiologjike”, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa tha po ashtu se Republika e Kosovës nëpërmes asistencës profesionale të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ka ngritur kapacitetet institucionale për të parandaluar dhe luftuar rreziqet që vijnë nga terrorizmi dhe kërcënimet eventuale ndaj sigurisë bërthamore.
Më tej, kryeministri foli për hapat konkret në shumë dimensione që Qeveria e Kosovës nëpërmes Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Sigurisë Bërthamore, ka ndërmarrë në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi dhe siguria bërthamore.
“Ritheksoj përkushtimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e angazhimeve globale të botës demokratike, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër të gjitha kërcënimeve dhe formave të ekstremizmit dhe terrorizmit, si një e keqe globale të cilën vetëm së bashku ne mund ta mposhtim”, tha kryeministri Mustafa.
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa në konferencë.
Kam kënaqësinë t’ju përshëndes të gjithëve. Konsideroj se kjo është një konferencë mjaft e rëndësishme e organizuar për herë të parë në Kosovë, me temë për Kërcënimet ndaj Sigurisë Bërthamore.
Dëshiroj të përgëzoj z.Beqir Mezelxhiu për punën e mirë që ka bërë së bashku me stafin e tij në Agjencinë e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore dhe poashtu për bashkëpunimin me partnerët e brendshëm dhe ata ndërkombëtarë, që ka rezultuar pastaj me organizimin e kësaj konference që është e rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por edhe vendet në rajon dhe më gjerë.
Organizimi i Konferencës Regjionale për Siguri Nukleare në Kosovë është rasti më i mirë që përfaqësuesit e shteteve të regjionit të shkëmbejnë praktikat më të mira të mbrojtjes të materialeve bërthamore, të iniciojnë progres në ndërtimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve në regjion me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kërcënimeve ndaj sigurisë bërthamore dhe radiologjike.
Konsideroj se siguria e materialeve bërthamore dhe siguria e teknologjive dhe materialeve tjera radioaktive, është me rëndësi të veçantë dhe kjo sidomos në vitet e fundit.
Ekspertët e sigurisë kanë tërhequr vërejtjen se rreziku nga përdorimi i armëve bërthamore për qëllime terroriste është shumë i madh. Terrorizmi bërthamor konsiderohet si kërcënim serioz dhe real për sigurinë ndërkombëtare. Prandaj, çdo ngjarje terroriste, bërthamore dhe radiologjike kudo në botë do të kishte pasoja thelbësore negative në ekonomi, për shoqëritë, dhe për sigurimin e të gjitha kombeve.
Në këtë aspekt, Republika e Kosovës nëpërmes asistencës profesionale të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ka ngritur kapacitetet institucionale për të parandaluar dhe luftuar rreziqet që vijnë nga terrorizmi dhe kërcënimet eventuale ndaj sigurisë bërthamore.
Qeveria e Kosovës në vitin 2012 ka themeluar Agjencinë e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore dhe po ashtu edhe Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila ka hyrë në fuqi në fillim të prillit të këtij viti, e detyron Kosovën që sjellë legjislacionin e saj kombëtar në linjë me Bashkimin Evropian edhe në fushën bërthamore.
Qeveria e Kosovës nëpërmes Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Sigurisë Bërthamore, po punon në hartimin e Kornizës Ligjore, e cila do të jetë plotësisht në përputhje me direktivat e BE-së në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi dhe siguria bërthamore.
Me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Qeveria e Kosovës nëpërmes Agjencisë ka hartuar draftin e Strategjisë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Sigurinë Bërthamore për periudhën 2016 – 2026 dhe draft-planin e Veprimit për implementimin e Strategjisë për periudhën 2016 – 2021. Në objektivat e kësaj Strategjie janë paraparë bashkëpunimi ndërkombëtar dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës në fushën bërthamore.
Po ashtu, ne kemi paraparë që Kosova të fillojë procesin e anëtarësimit në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, i cili anëtarësim do t’i sillte vendit tonë përfitime të rëndësishme në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi dhe siguria bërthamore dhe do të kontribuonte në sigurinë regjionale dhe ndërkombëtare.
Duke pasur parasysh gjithmonë mundësinë e kërcënimet ndaj Sigurisë Nukleare, që është tema e konferencës, Republika e Kosovës ka ngarkuar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që nëpërmes kornizës ligjore, strukturave qeveritare dhe dikastereve të ndryshme, të zbatojë kontrollin e tregtisë me mallra strategjike.
Në anën tjetër, me qëllim të ballafaqimit me sukses ndaj këtyre dukurive, vendi ynë ka adaptuar një seri dokumentesh strategjike siç janë: Strategjia Kombëtare Kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Plani i Veprimi, Strategjia e Sigurisë së Republikës së Kosovës, Strategjia Kundër Krimit të Organizuar, Strategjia për Parandalimin e Krimit, Strategjia për Menaxhimin e Integruar të Kufijve dhe Strategjia për Sigurimin në Bashkësi. Këto janë dokumente, të cilat po implementohen edhe me vullnet mjaft të madhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, por edhe me një mbështetje të fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë të cilët janë në Kosovë.
Prandaj, të gjitha këto dokumente janë rezultat i partneritetit të fuqishëm me palën ndërkombëtare dhe poashtu e përcaktimit të qartë të Kosovës që të marrë masa si faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajon, por edhe në botë.
Duke shprehur përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për këtë konferencë të rëndësishme, ju uroj punë të mbarë dhe ritheksoj përkushtimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e angazhimeve globale të botës demokratike, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër të gjitha kërcënimeve dhe formave të ekstremizmit dhe terrorizmit, si një e keqe globale të cilën vetëm së bashku ne mund ta mposhtim.
Ju faleminderit.