Mustafa: Shëndeti publik, prioritet i lartë i Qeverisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në vënien e Gurthemelit të Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike në Ferizaj.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Mustafa, vlerësoi të rëndësishëm këtë investim, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë për shëndetin publik.

“Kam nderin që të marr pjesë sot këtu në vënien e këtij gurthemeli, i cili është i fundit që vihet tek ndërtimi i Qendrave Rajonale të Shëndetit Publik, sepse është përmbyllur një cikël në të gjitha qendrat e tjera dhe është mirë që tani Ferizaj, në këtë ambient dhe pozicion kaq të mirë po e ndërton një qendër rajonale. Unë përgëzoj edhe Ministrinë, Institutin e Shëndetit Publik e veçmas komunën e Ferizajt për bashkëpunimin dhe arritjen që të vihet ky gurthemel dhe që në vitin e ardhshëm ne ta kemi të përfunduar këtë investim”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Mustafa, më tej theksoi se në ditët e ardhshme do të vihet themeli edhe i Spitalit Rajonal në këtë komunë.

“Si Qeveri i kemi dhënë prioritet të lartë shëndetit publik dhe ky prioritet do të vihet në argumentim edhe në ditët e ardhshme kur do të vihet edhe themeli edhe i Spitalit Rajonal që do të ndërtohet këtu, meqenëse Ministria ka shpallur tenderin për të. Është një investim prej 9 milionëve, që do të bëhet në komunën e Ferizajt dhe që mendoj se do të jetë mjaft i rëndësishëm për qytetarët jo vetëm të Ferizajt, por të gjitha komunave, fshatrave e lokaliteteve tjera të cilat gravitojnë këtu”, theksoi kryeministri Mustafa.

Më tej kryeministri Mustafa tha se është me rëndësi themelore që qytetarëve t’iu ofrojmë shëndet të mirë, që të përkujdesemi për ta.

“Ky është një investim shumë produktiv, do të kemi popullatë të shëndoshë, do të kemi ekonomi të shëndoshë dhe, po ashtu do të kemi përparim të gjeneratave të reja. Ju uroj për këtë investim të rëndësishëm, t’i uroj në radhë të parë punonjësit shëndetësor që janë këtu, sepse kanë një degë shumë të rëndësishme, një fushë shumë të rëndësishme të kujdesit për qytetarët. Ju uroj atyre që të kenë kushte shumë të mira të punës në të ardhmen dhe që me përkushtim të gjithë ta bëjmë punën tonë”, tha kryeministri Mustafa.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij projekti, duke theksuar rëndësinë që ka ky institut për qytetarët ferizajas.

“Ferizaj në zhvillimin e vet në kohët e fundit, në zhvillimin ekonomik nuk ka mundur të bëjë ngritjen e kapaciteteve qoftë infrastrukturore, qoftë në kuadrot për shëndetësi dhe ne si ministri e Shëndetësisë kemi vendosur që Ferizajn ta trajtojmë në mënyrë të veçantë, me prioritet krahas Mitrovicës si në dhënien e specializimeve, ashtu edhe në trajtimin e dhënies së mundësive që të investojmë në infrastrukturë”, tha ministri Rrahmani.

Ministri Rrahmani, më tej tha se me këtë gurthemel do të mbyllet cikli i ndërtimit të objekteve moderne në shëndetësinë publike.

“Investimi në shëndetësinë publike është investim në parandalim të sëmundjeve, zbulim të hershëm dhe si rrjedhojë edhe një kosto më të lehtë të përballimit të pasojave”, tha ministri.

Para të pranishmëve të shumtë, ministri Rrahmani paralajmëroi mbylljen e një vërejtjeje që është përcjell në Raportin e Progresit, duke theksuar se Zyra e Ujit brenda Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ka plotësuar nevojat me kuadro ashtu siç është rekomanduar nga Këshilli Ndërministror. “Ne në Ministrinë e Shëndetësisë jemi në proces të blerjes së shtatë automjeteve, të cilat do të jenë gjithmonë në përdorim për Zyrën e Ujit dhe kjo pikë që gjithmonë na ka përcjellë në Raport të Progresit, do të mbyllet. Ne jemi të vendosur që t’i përkrahim të gjitha iniciativat pozitive. Falënderoj kryeministrin për përkrahjen e vazhdueshme, falënderoj edhe kryetarin që ka pasur kurajon përkundër sfidave, që ne sot të arrijmë ta vëmë këtë gurthemel”, theksoi ministri Rrahmani.

ZKM-13_Shendeti_150616_v

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, tha se kjo ditë është e shumëpritur për shëndetësinë e Ferizajt dhe të gjithë Kosovës, meqë tashmë po kompletohet një rrjet i rëndësishëm në mbulimin e aktiviteteve të shëndetësisë publike dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe jongjitëse, që në këto treva kanë marrë shumë jetë në të kaluarën dhe të tashmen.

“Ne besojmë dhe shpresojmë se me ngritjen e këtij Instituti Rajonal, ne do të plotësojmë një gurthemel, një gur në tërë sistemin shëndetësor të Kosovës, të cilin po e ndërtojmë në mbështetje të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të kryeministrit Isa Mustafa dhe të gjitha institucioneve të Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar dhe krejt kjo që kuadrove të reja të shëndetësisë publike të cilat janë ballëhapur që të edukohen dhe përsosen me edukim të vazhdueshëm, në mënyrë që të ofrohen shërbime më cilësore, kualitative për qytetarët e kësaj ane dhe më gjerë, që Kosova të ketë një popullatë të shëndoshë dhe me perspektivë”, tha drejtori Ramadani.

ZKM-11_Shendeti_150616_v

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, tha se ngritja e këtij instituti për qytetarët e Ferizajt është një emocion i veçantë, i cili do të zgjidhë problemin e komplekseve të Instituteve të Shëndetit Publik dhe komplekseve spitalore në rajonin e Ferizajt.

“Momenti i djeshëm i lajmit të shumëpritur për fillimin e tenderimit të Spitalit Rajonal, paraqet një nga lajmet më të mira që është dëgjuar në 70 vjetët e fundit në komunën e Ferizajt dhe natyrisht me këtë po fillon realizimi i investimeve të mëdha të munguara për komunën e Ferizajt, për të cilat kjo komunë do të vejë në shërbim të gjithë infrastrukturën që këto projekte të realizohen me shpejtësi dhe ashtu siç janë paraparë”, tha kryetari Svarqa.

Ai falënderoi gjithë personelin shëndetësor që në kushte të vështira kanë punuar në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe për marrjen e masave të trajtimit të sëmundjeve epidemiologjike në kushte mjaft të vështira dhe të varfra në krahasim me institutet tjera që kanë pasur qendrat tjera të Kosovës, në veçanti Instituti i Shëndetit Publik Kombëtar në Prishtinë.

Temat
LajmeVend

Të afërta