Babai më martoi me një sakat

Jam e gjashta e fëmijëve, të gjitha vajza. Babai shpresonte që të isha djalë, por ja që dëshira nuk iu plotësua dhe të gjitha inatet na i nxori ne të gjashtave, por sidomos nënës, e që, sipas tij, nuk qe e zonja të bënte djalë!

Gjithë fëmijërinë jam rrahur e keqtrajtuar nga babai im, që mezi priti t’më zhdukte nga shtëpia. Më martoi që 16 vjeçe me një njeri që vuan nga sëmundje mendore dhe gjysma e trupit të tij është e paralizuar. Ky ishte dënimi i tij për mua, meqë nuk linda djalë po u linda vajzë. Unë isha fëmija i fundit, sepse fatmirësisht, pas meje, nëna nuk mund të lindte më. Them “fatmirësisht”, sepse po të ishte për babanë, ai do ta kishte lënë shtatzënë derisa të lindte djalë, edhe sikur t’i duhej t’i bënte 20 fëmijë.

Fëmijët e tjerë nuk do të kishin rëndësi, vetëm djali i duhej. Pavarësisht se nga ekonomia nuk mund t’i përballonte as gjashtë fëmijë, aq sa bëri, për atë nuk kishte rëndësi. Këto gjëra që po u tregoj nuk kanë kushedi sa vite që ka ndodhur… Tani që po u shkruaj unë jam 34 vjeçe dhe i kam 19 vjet martesë.

Më shumë sesa grua, gjithë këto vite kam qenë shërbëtore e një njeriu që jo vetëm ka paaftësi fizike, por është edhe shumë nevrik dhe më trajton si mos më keq, edhe pse unë e kam mbyllur jetën time duke i shërbyer atij.

Unë kam një familje të madhe, por nga ta nuk kam pasur asnjë mbështetje në jetë. Kam kryer vetëm shkollën fillore, sepse babi më hoqi nga shkolla, duke më thënë se femrave nuk u duhet shkolla, ato duhet të merren me shtëpinë, mjafton të dinë të lajnë e të shpëlajnë dhe të bëjnë djem se po të bënin vajza, ishin kot. Kështu e quante ai nënën time, grua që nuk vyente për asgjë, prandaj e rrihte për çdo gjë, edhe për budallallëkun më të vogël. E, kush guxonte t’i kundërvihej, hante dru si ajo.

As nëna e shkretë nuk pat mundësinë të na jepte ngrohtësi dhe dashuri. Me gjithë atë stres që kalonte ajo përditë, më shumë na trajtonte si ndihmëse sesa si vajza. Edhe atë e kishte martuar familja që 14 vjeçe, sepse në kohën e saj ashtu ishte zakon. Me mesit u martua me babanë tim që nuk e njihte fare dhe që i shkoi jeta si mos më keq. Por, nënën nuk e fajësoj dot për gjë. Për atë më vjen keq se nuk e mori vesh ndonjëherë se ka edhe mënyra të tjera për ta jetuar jetën. Ajo i dinte të gjithë meshkujt si babai. Të paktën, sot shohim televizor dhe jetojmë me ëndrra. E dimë që ka edhe meshkuj që nuk i trajtojnë femrat e tyre si shërbëtore, kurse në atë kohë kjo mundësi nuk qe…

Im atë i martoi shpejt e shpejt pesë motrat që ishin para meje. Nga njëri cep në tjetrin jemi ndarë. Nuk e kam një motër afër që ta kem për një hall a për një gëzim, por të paktën motrat e mia nuk e patën fatin kaq të zi sa unë, se bile burrat e tyre nuk janë sakatë dhe të sëmurë mendorë si i imi. Mua më martoi me një njeri me të cilin as fëmijë nuk bëj dot, por vetëm duhet t’i shërbej. Familja e burrit donte një grua që t’i shërbente të birit. Duke qenë se ata nuk mund të paguanin një infermier që të kujdesej për të 24 orë, u kishte shkuar mendja ta hiqnin qafe duke e martuar. Si dukej, ishin informuar mirë për tim atë, që donte vetëm t’i hiqte qafe bijat e veta e nuk kishte shumë pretendime, ndaj erdhën e më kërkuan, kur isha akoma fëmijë. Ata ishin mirë nga gjendja ekonomike dhe gjithmonë kam pasur e kam dyshimin se ndoshta im atë ka marrë edhe ndonjë lek prej tyre, në këmbim të jetës sime. Në fillim, kur e mora vesh se ku donte t’më jepte babi, vuajta shumë dhe iu luta tim ati të mos më martonte. Por, ku të dëgjonte ai?! Më tha se duhet të kënaqesha, sepse do të jetoja në qytet.

Në shtëpi nuk më mungon asgjë, sepse familja e burrit ka para dhe nuk punoj, meqë duhet të kujdesem gjithë ditën për burrin. Jetoj në qytet, edhe pse jam vajzë e lindur dhe e rritur në fshat, por jam e varur nga çdo gjë prej burrit, sepse për çdo gjë përgjigjet ai. Unë dua të punoj, por duke qenë se e kam burrin në këtë gjendje, nuk mundem dot. Duke ndenjur gjithë ditën me burrin, nuk kam as shoqëri…

Më konsiderojnë si shërbëtore e jo si nuse!

Në fillim, nëna vinte më takonte njëherë në ca kohë, kurse tani ka mbi një vit që nuk e kam takuar. Nuk ka më fuqi të vijë te unë. Motrat vijnë shumë rrallë, sepse edhe ato kanë jetën e problemet e tyre, kurse unë nuk shkoj dot t’i takoj se nuk kam ku ta lë burrin. Me vete nuk kam si ta marr, sepse nuk lëviz dot, kështu që jeta ime është kufizuar në këtë shtëpi dhe afër shtëpisë, ku mund të dalim ndonjëherë për xhiro kur është kohë e mirë. As te njerëzit e burrit nuk kam gjetur asnjëherë ngrohtësi gjatë gjithë këtyre viteve. Ata më shikojnë thjesht si shërbëtore dhe jo si nuse. Kështu, më kanë trajtuar gjithë jetën.

Gjithë këto vite kam jetuar me shpresën se mund të gjej dikë që t’më ndihmojë të iki përgjithmonë nga kjo shtëpi. Gjithë jetën kam ëndërruar që një ditë do të gjeja edhe unë fatin tim të vërtetë dhe nuk e di se çfarë mëkati kam bërë që po vuaj kaq shumë. Shërbëtore do të mbetem gjithë jetën. Të lindësh dhe të mos jetosh asnjë ditë, i bie kot që ke lindur. Nëna ime, të paktën, i bëri gjashtë fëmijë, por unë nuk do ta kem kurrë fatin as të bëhem nënë!

Temat
Fun

Të afërta