Ka një histori që nuk është treguar dhe është mbajtur e fshehur, edhe nga stafi i kombëtares për kapitenin Lorik Cana. Gjatë gjithë kësaj kohe, Lorik Cana ka luajtur me kujdes, në mënyrë që të mos rrezikonte një dëmtim që do ta linte jashtë Europianit.
Miqësorja e fundit ndaj Ukrainës e vërtetoi këtë gjë, teksa në pjesën e dytë nuk doli në fushë, pasi në të parën e përplasi keq mesin gjatë një dyluftimi ajëror me një kundërshtar.
E gjitha lidhet me një operacion të kryer kur ishte ende me Lacion dhe nuk kishte prishur kontratën me bardhekaltërit.
Një operacion i shkuar keq, gjatë ngjitjes së vertebrës.
Kjo, përgjatë gjithë muajve që nga vera e shkuar, i ka sjellë shqetësime të mëdha.
Madje, në Francë, duke rënë dakord edhe me Nantën, skuadra që e mori, kapiteni i kombëtares vendosi që të mos luante në asnjë fushë ku kishte bar sintentik. Pikërisht ky ka qenë edhe motivi që shpesh këto terrene e kanë penalizuar në të shkuarën, pasi menjëherë nis dhimbja e mesit.
Problemi në fjalë, të cilin gjakovari e ka si një gurë të rëndë – a thua se historia e Sizifit të ishte kthyer në realitet – pas krahëve, e ka detyruar që muajt e fundit në Francë të mos aktivizohet me vazhdimësi.
Edhe trajneri kuqezi, Gianni de Biasi, ka qenë në dijeni të plotë, ashtu si edhe stafi mjekësor i kombëtares, por ky fakt është mbajtur i fshehur pikërisht për të mos e mërzitur më shumë kapitenin, që gjatë gjithë kësaj kohe ka luajtur me dhimbje të tmerrshme dhe ka rrezikuar jo pak.