Marre!

Pranimi në UEFA dhe FIFA e ka gjetur futbollin kosovar tepër të papërgatitur, ndonëse me vite të tëra ndërkombëtarizimi konsiderohej vetëm “çështje kohe”. Infrastruktura po del të jetë problemi kryesor, pasi s’është punuar me kohë. Ndërsa, tani kosovarët nuk janë në gjendje që ta rinovojnë një stadium para 14 muajsh, gjë që do ta detyrojë Përfaqësuesen e Kosovës t’i nisë eliminatoret e Botërorit jashtë shtetit, i cili mezi hyri në UEFA dhe FIFA, duke fituar shansin edhe për t’u reklamuar nëpër botë, shkruan sot Gazeta Zëri

Pranimi në UEFA e FIFFA e ka zënë të papërgatitur futbollin kosovar. Muaji maj ishte muaj feste, pasi Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) u pranua në dy institucionet më të larta të futbollit ndërkombëtar.

Mirëpo, kjo festë u zbeh pak javë më pas, fillimisht kur shtëpia e futbollit evropian nuk i lejoi të marrin pjesë në garat evropiane dy skuadrat kosovare, Feronikeli dhe Prishtina, për shkak se nuk i plotësuan kriteret, mbi të gjitha atë të infrastrukturës.

Ndërsa, “goditja” tjetër arriti të dielën që shkoi kur UEFA e njoftoi FFK-në se Përfaqësuesja e Kosovës duhet të luajë jashtë vendit pasi nuk mund të luajë në dy stadiumet ekzistuese, në “Adem Jashari” të Mitrovicës për shkak të mungesës së sigurisë e as në atë të qytetit të Prishtinës, për shkak se nuk i plotëson kriteret, shkruan në numrin e sotëm Gazeta Zëri.

Pra, problemi me infrastrukturë i doli “dardhë me bisht” edhe Përfaqësueses, e cila do ta nisë kampanjën kualifikuese historike për “Botërorin 2018” në muajin shtator.

S’ka kohë

Nga sot e deri në muajin tetor, kur është caktuar të zhvillohet ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, nuk kanë mbetur më shumë se katër muaj. Kjo periudhë duket e pamundur nga kompania që e ka fituar tenderin, “Al Trade” në bashkëpunim me “Izolimin”, për t’i mbaruar punimet në renovimin e stadiumit të qytetit në Prishtinë.

Kjo kompani e ka paraparë përfundimin e punimeve për 14 muaj dhe mbylljen e tyre për 10 muaj më shpejt e konsideron të pamundur. Edhe nëse do t’ju ndaheshin menjëherë të gjitha paratë nga Ministria e Sportit, 3.8 milionë të parapara dhe, edhe nëse do të punohej në tri ndërrime, “Al Trade” insiston se punimet nuk do të mundë të kryheshin deri në tetor.

“Nuk ka mundësi të përfundojnë punimet për katër muaj. Gjithçka do të shkojë sipas kontratës. Kur të përfundojë 1/3 e punimeve mund ta themi më saktë se për sa do të kryhen punimet. Maksimumi ato mund të mbyllen për 12 muaj, por më shpejt nuk ka mundësi. Punimet janë proces, të lidhura njëra me tjetrën. Është drenazhi, pastaj hidroizolimi, që kërkojnë pauzë në mes njëra-tjetrës”, thotë Bajram Gashani, drejtor gjeneral i “Al Trade” dhe njëherësh inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë.

Dorëzohet Federata: Luajmë në Shqipëri

Pasi e morën vendimin nga UEFA, krerët e FFK-së e kanë shqyrtuar mundësinë e përshpejtimit të punimeve në mënyrë që Përfaqësuesja të luajë në Prishtinë, por edhe ata e dinë se kjo gjë është e pamundur. Andaj, shtëpia e futbollit kosovar ia ka dërguar një letër Federatës Shqiptare të Futbollit, nga e cila ka kërkuar sugjerim dhe të tregojë se cili stadium në Shqipëri është në dispozicion për Përfaqësuesen e Kosovës.

“Ka mundësi që Përfaqësuesja e Kosovës të luajë në Shqipëri. Kemi kontaktuar me FSHF-në dhe shpejt do ta marrim një përgjigje, pasi UEFA nuk pret shumë. Do ta zgjedhim një stadium më të kapshëm për tifozët nga Kosova”, thonë në FFK. Gjeografikisht, më së afërmi Kosovës është stadiumi “Loro Boriçi” i Shkodrës, prandaj ka mundësi që Përfaqësuesja të luajë në këtë stadium, së paku në ndeshjen e parë me Kroacinë në tetor të këtij viti.

MKRS: S’duhet të ngutemi

Në Ministrinë e Sportit, financuese e renovimit të stadiumit të qytetit në Prishtinë, thonë se punimet nuk duhet të nguten, edhe pse Kosovës i nevojitet stadiumi për muajin tetor.

“Punimet duhet të bëhen kualitative e jo shkel e shko. Andaj nuk duhet të ngutemi. Sidoqoftë, do të bisedojmë me kompanitë kontraktuese dhe ta shohim se si janë mundësitë. Përndryshe, Kosovës i duhet të luajë në Shqipëri, Maqedoni ose diasporë, ku ka shumë tifozë shqiptarë. Bëhet fjalë vetëm për ndeshjet e sivjetme, pasi vitin e ardhshëm besoj se do ta kemi stadiumin tonë në dispozicion”, deklaroi për gazetën Muharrem Sahiti, këshilltar për sport i ministrit, Kujtim Shala.

Temat
SportVend

Të afërta