Lladrovci – Selimit: Kur Fehmiu e Xheva luftonin, ti këndoje

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, duke i quajtur “halucionante” disa deklarata të këtij të fundit.

Lladrovci ka thënë se Selimi, në një intervistë të tij të fundit, ka vazhduar atë që ai e ka quajtur “metodë të shpifur për denigrimin e thënieve dhe figurave eminente të Luftës për Lirinë e Kosovës”.

“{Selimi} ka vënë si thënie timen se dikur, unë kam akuzuar Hashim Thaçin për vrasjen e Fehmi Lladrovcit, ndërsa tani unë po akuzoj atë, Rexhep Selimin”, ka shkruar Lladrovci në llogarinë e tij në Facebook.

“Rexhë, unë për vrasjen e Fehmiut dhe të Xhevës, kurrë nuk kam akuzuar askënd. Ata janë vrarë, ashtu si kishin deklaruar, duke e pasur vdekjen për lirinë e Kosovës si nderin më të madh në jetë. Kur Fehmiu e Xheva erdhën për herë të fundit në Kosovë ata mbanin në vete më shumë se 21 vite veprimtari patriotike, gjithnjë në shërbim të kombit që i takojnë, kishin në shpatulla përvojën e Luftës së tmerrshme në Gospiq, kur ti kishe “aktivitet” një numur këngësh patritike, dhe mirë ke bërë që ke kënduar. Kishe aktivitet edhe një aksion, hedhjen e një granate dore në kampet e refugjatëve serbë në Mitrovicë, dhe, për fat të keq, kjo ishte ‘lavdia’ yte, luftë kundër grave e fëmijve”, thuhet në shkrimin e Lladrovcit.

Ky është shkrimi i plotë i Lladrovcit në rrjetin social:

“REAGIM MBI DEKLARATAT HALUCIONANTE TE REXHEP SELIMIT

Në intervistën e tij të fundit, me të cilën u njoha sot, pas një seri të tjerave, të cilave nuk kam marrë mundimin t’u përgjigjem, Rexhep Selimi, në “Bota sot”, duke vazhduar një metodë të shpifur për denigrimin e thënieve dhe figurave eminente të Luftës për Lirinë e Kosovës, ka vënë si thënie timen se dikur, unë kam akuzuar Hashim Thaçin për vrasjen e Fehmi Lladrovcit, ndërsa tani unë po akuzoj atë, Rexhep Selimin.

Në reagimin tim unë nuk kam të bëj me Rexhep Selimin si deputet i Kuvendit të Kosovës dhe as me atë çka ai është pjesë përfaqësuese.

Rexhep Selimi si deputet , në fakt, është vazhdim i asaj që ishte dikur, por kjo nuk është çështje e imja. Miku i vjetër i Fadil Sulejviqit, njeriut që arrestoi , torturoi dhe zhduku humanistin dhe atdhetarin e madh, dr. Hafir Shala.

Rexhë, unë për vrasjen e Fehmiut dhe të Xhevës, kurrë nuk kam akuzuar askënd. Ata janë vrarë, ashtu si kishin deklaruar, duke e pasur vdekjen për lirinë e Kosovës si nderin më të madh në jetë. Kur Fehmiu e Xheva erdhën për herë të fundit në Kosovë ata mbanin në vete më shumë se 21 vite veprimtari patriotike, gjithnjë në shërbim të kombit që i takojnë, kishin në shpatulla përvojën e Luftës së tmerrshme në Gospiq, kur ti kishe “aktivitet” një numur këngësh patritike, dhe mirë ke bërë që ke kënduar. Kishe aktivitet edhe një aksion, hedhjen e një granate dore në kampet e refugjatëve serbë në Mitrovicë, dhe, për fat të keq, kjo ishte “lavdia”yte, luftë kundër grave e fëmijve.

Nuk e kam akuzuar kurrë Hashim Thaçin për vrasjen e Fehmiut. Unë e di , Rexhë, se edhe ti e di këtë, e di , po ashtu se, kërkon të manipulosh me të vërteta dhe të shtish në sherr shokët e vjetër, ose të bësh si ndodhi me një komandant tjetër brigade në Drenicë, me të cilin manpulove deri ditën që u vra. Me Hashim Thaçin njihem e bashkëveptojmë që nga viti 1987, kemi pasur gjëra të përbashkta e mendime të ndryshme për organizimin e luftës, kemi marrë pjesë në aksionet e para të UÇK-së, kur ti, po e përsëris, i bije çiftelisë,dhe nuk akuzoj as atë, e as Ty, për rënien e Fehmiut në luftë.

Ai që organizoi dhe realizoi rrethimin e vrasjen e Fehmit, Xhevës dhe shokëve të tyre e mori dënimin, shumë shpejt e mori këtë dënim, aty ku ishte, jo nga Ti, “dhjetëshi” i dikurshëm dhe “Njëmbdhjetëshi” i sotëm, por nga shokët e bashkëluftëtarët e vërtetë. Është qesharake të thuash se i ke pasur vllezër Fehmiun e Luanin, kur për të dy ke kërkuar të ndiqen, tu vihet pushka dhe të dëbohen nga Kosova, kur në majin e vitit 1997 po vinim në Kosovë për t’ju bashkuar Adem JASHARIT e shokëve tanë. Është qesharake sepse, ti , Rexhë, ishe njeriu që , edhe kur miku im i shtrenjtë, Sylejman Selimi e propozoi për komandant të zonës , refuzove, duke thënë se është vendim i Shtabit që të mos komandojnë të ardhurit nga jashtë. Ti, Rexhë, për “Vëllain” tënd, Fehmiun nuk ishe dakord që të jepte Intervistë në BBC, intervistën e njohur kudo ku ka shqiptarë. Dhe kur gazetari i BBC nguli këmbë vetëm për Fehmiun, ti kërkove që ai të ishte me maskë. Por Fehmiu nuk ishte si Ti , që të dilte me maskë para popullit të tij, ai nuk fshihej dhe nuk i mbulonte ideslet e tij për Kosovën. Fehmiu nuk ishte si “Djetëshi” që me maskë rrihte banorët e një fshati,vetëm se nuk i jepnin haraç. Fehmiu nuk ishte njeriu i maskave e i vrasjeve pas shpinde, ndaj nuk mund të ishte vëllai yt. Rexhë, mos i hap letrat e vjetra, se nuk ndahesh si mendon.

Rexhë, unë e di se ti nuk e ke thjeshtë me mua; ti edhe sot, si më parë, bëhesh tellall i punëve jo të mira. Mundohesh kot me më fut në rrugë qorre, kundër shokëve të luftës. Atë rrugë ke kohë që e ke hapë dhe , ata që ta mësuan vonë do të lënë ta braktisësh.

Mendova Rexhë, se je mbushë mend dhe po i therrët vetdijes. Jam gabue shpesh me ty, e prap e di se do të gabohem.

Kur thua se Luanin dhe Fehmiun i kam pasë vllazën, ma shpife, kur mendoj se sa i pabesë ke qenë kundër tyre, e tash që po mundohesh me i bind njerëzit se nuk ishte i tillë, më jep neveri. Të kam shtruar me kohë disa pyetje, nuk je përgjegjë, megjithëse jam vëllai i “vëllait” tënd. I ligu nuk i pranon kurrë ligësitë, i ndershmi dhe i forti, edhe kur bën gabime e faje, ecë përpara ndershmërisht, çka edhe sot e kësaj dite nuk e kam gjetë tek ti.

Një këshillë kisha për ty, Rexhep Selimi:

Deri tani, veç me ty, nuk kam debatuar me askënd për ngjarjet e luftës, por ti nuk zë mend. Kur njerëzit heshtin, ti kujton se janë thyer. Kam heshtur për hatër të luftës, ashtu si të kemi falur po për hatër të luftës, të vllaznisë dhe Fisit tënd që janë shquar në luftë.

Është një kallzë gruri, Rexhep, të cilën, po e fute një herë në gjuhë, sa herë që ta përtypësh, aq më thellë futet e nuk e nxjerr dot.Unë i tillë jam për ty, Rexhë, por kallzën e grurit e përtype vetë dhe nuk po e nxjerr dot, ose nuk po të lanë me e nxjerrë.

Rexhep Selimi, thirri mendjes…mos e përlyej veten më tej se kaq.”

Temat
LajmeVend

Të afërta