Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka folur për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, i cili përfundon sonte.
“Ne nuk kemi obligim t’ia bëjmë votat këtij koalicioni, andaj nuk kemi nevojë ta shpëtojmë këtë qeveri nga gjendja që ia ka sjellë vetëvetes”, ka thënë Isufi në Info Magazine të Klan Kosovës.
Sipas tij, vazhdimi i mandatit të EULEX-it është dobësi e kësaj qeverie.
“Ka pasur shumë kritika edhe për UNMIK-un, për dobësinë e funksionimit të rendit dhe ligjit. EULEX-i po ashtu ka treguar dobësi te brendshme sepse ka pasur raste të korrupsionit dhe është parë që është një mision që nuk ka treguar efikasitet të mjaftueshëm”.
Sipas tij, fakti se është vazhduar misioni i EULEX-it në Kosovës ndërlidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me (mos)punën e Kuvendit të Kosovës.
“Dobësia ka qenë te institucionet e Kosovës pasi në dy qeveritë e kaluara kjo mënyrë e sjelljes së Qeverisë ka bërë që të detyrohen të vazhdohet mandati i EULEX-it. Nuk ka gatishmëri politike në Kosovë për të fuqizuar drejtësinë në Kosovë”, tha ai.