Vuçiq anulon vizitat në Bruksel dhe SHBA

Televizioni shtetëror serb ka njoftuar këtë të hënë se kryeministri që pritet të rimandatohet, Aleksandër Vuçiq ka anuluar vizitat e tij në Bruksel, sikurse edhe bisedimet, veçmas me zyrtarë amerikanë, pas raporteve të një gazete proqeveritare se ambasadorët e BE-së dhe SHBA-ve janë duke nxitur protestat kundër regjimit të tij.

Vuçiq kishte planifikuar që të udhëtonte gjatë këtij muaji në Bruksel për të hapur edhe zyrtarisht bisedimet për anëtarësim në BE si dhe në SHBA për të përuruar fluturimet e “Air Serbia” drejt New Yorkut.

Anulimi i këtyre vizitave vjen pas presionit gjithnjë në rritje nga Rusia, e cila kërkon nga Serbia që mos t’i bashkohet BE-së dhe NATO-s.

Mijëra persona protestuan të shtunën kundër shkatërrimit të një zone në Beograd të krijuar për një projekt të financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe për pasuri të patundshme.

Temat
LajmeRajon

Të afërta