Një në tre fëmijë ende jeton në varfëri

Zyra e kryeministrit të Kosovës ka mbajtur takim ndërministror për të drejtat e fëmijëve ku u tha se Kosova ka bërë përpjekje për përmirësimin e të drejtave dhe kushteve për fëmijë.

Megjithatë, në këtë tryezë u tha se ka vend për përmirësim, pasi që fëmijët e komunitetit RAE ende vazhdojnë të mos kenë jetë të mirë.

Kryeministri Isa Mustafa tha se Qeveria po bën përpjekje që Kosova të jetë ndër shtetet më të mira që u ofron fëmijëve mirëqenie.

“Ne po bëjmë përpjekje që Kosovën ta bëjmë një nga vendet më të mira për një mirëqenie të shëndetshme të fëmijëve në mënyrë që ata të zhvillohen si potencial i plotë i ardhmërisë sonë. Po ashtu, siç e dimë edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e ka përfshirë konventën për të drejtat e fëmijëve në listën e instrumenteve ndërkombëtare bazuar në vlerësimet dhe studimet ndërkombëtare dhe vendore dedikuar legjislacionit i cili dedikohet fëmijëve. Prandaj nuk është e vështirë të kolaudojmë se legjislacioni pozitiv i Kosovës është në përputhje me normat, parimet dh standardet ndërkombëtare që njëherit e respektojnë edhe zotimin e institucioneve të Kosovës për realizimin e të drejtave të fëmijëve”, tha Mustafa.

Ndërkohë, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se MASHT ka për qëllim që të integrojë politikat e të drejtave të fëmijëve në sistemin arsimor.

“Politikat e MASHT-it kanë për qëllim integrimin e të drejtave të fëmijëve në sistemin arsimor në përgjithësi duke promovuar dhe siguruar barazi të plotë pa dallim gjinie, etnie, gjendje fizike, intelektuale, sociale apo rrethana tjera të cilat mund të gjenden fëmijët. MASHT ka për qëllim që të gjitha institucionet arsimore t’i koordinojnë aktivitetet e tyre në harmoni me zbatimin dhe promovimin e të drejtave të tyre në funksion të edukimit dhe arsimimit të drejtë të fëmijëve tanë gjithnjë duke u bazuar në të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe ligje”, tha ai.

Kurse, shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad, tha se Kosova ka bërë përmirësime në fushën e të drejtave të fëmijëve, por sipas saj ende mbetet për t’u dëshiruar sa i përket fëmijëve të komunitetit RAE.

Ajo tha se ka përmirësim të kushteve të banimit për shumicën e fëmijëve si dhe vijueshmëri të mësimit.

Mirëpo, sipas saj, shqetësuese mbetet fakti se një në tre fëmijë ende jeton në varfëri. /KP/

Temat
LajmeVend

Të afërta