Ndryshimet në formacionin e Shqipërisë për Francën

Ndryshimi i detyrueshëm në qendër të mbrojtjes, ku do të mungojë kapiteni Lorik Cana, duket se nuk do të jetë risia e vetme në formacionin titullar ndaj Francës krahasuar me njëmbëdhjetëshin që zbriti në fushë ndaj Zvicrës.

Supersport raporton për të tjera lëvizje të mundshme në formacion, me tre emra të rinj të mesfushës që mund të jenë titullarë. Bëhet fjalë për Lilën, Kaçen dhe Memushajn.

Paraqitja e mirë e Kukelit në qendër të mbrojtjes mund ta bindë Gianni De Biasin që ta mbajë në këtë pozicion futbollistin e Cyrihut edhe ndaj “Gjelave”, çka do të thotë se në qendër të mesfushës hapet vend për Ergys Kaçen.

Për sa i përket aktivizimit të Lilës dhe Memushajt, nuk jepet asnjë indikacion për futbollistët që do të mund t’i zëvendësojnë.

Gjithsesi bëhet fjalë vetëm për një ide paraprake, pasi De Biasi do të marrë një vendim përfundimtar vetëm pasi të jetë i bindur në seancat e ardhshme stërvitore se këto ndryshime mund të japin efekt pozitiv në lojën e kuqezinjve.

Temat
LajmeVend

Të afërta