Limaj: Po luftojmë që Serbia mos të vijë në paralagje të Gjilanit

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka deklaruar se derisa po luftojnë për demarkacionin me Malin e Zi, nuk po luftojnë vetëm për territor, por po luftojnë që Serbia mos të vijë në paralagje të Gjilanit, pasi sipas tij, me demarkacionin me Serbinë, më së shumti do të preket Anamorava.

Këto komente limaj i bëri gjatë Kuvendit të parë zgjedhor në Gjilan, ku është zgjedhur Këshillin e Degës prej 41 anëtarëve, dhe ka përzgjedhur 31 emra për delegatë në Kuvendin Zgjedhor të Nisma-s për Kosovën.

Sipas një komunikate të Nismës, gjatë ditëve në vijim, Këshilli i Degës do të zgjedh kryetarin dhe anëtarët e kryesisë së Nisma-s për Gjilanin.

Në fjalën e tij, kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj, ka thënë se është koha për ndryshime. Dhe, ndryshimi sipas tij, është Nisma për Kosovën. Ai u ka bërë thirrje pjesmarrësve në Kuvend, që t’i ndëshkojnë me votë ata që kanë keqqeverisur, manipuluar dhe gënjyer qytetarët tërë këto vite.

Ai ka lavdëruar për punën e këtyre dy viteve, drejtuesit e Nisma-s në Gjilan, duke thënë se Gjilani përfaqësohet denjësisht nga një zë i fuqishëm në parlamentin e Kosovës.

“Ne kemi bërë një rrugë jo të lehtë, ashtu si çdokund në Kosovë, dhe Gjilani nuk është përjashtim. Rruga jonë ka qenë një sfidë e madhe, me situata të vështira dhe të rënda për të vepruar, zgjeruar dhe shpalosur vizionin tonë”, ka thënë Limaj.

Gjithashtu, Limaj ka përkujtuar angazhimin e Nismas për ndaljen e marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën. Ndër të tjera, Limaj ka thënë se kur të vijë koha të bëhet demarkacioni me Serbinë, më së shumti do të pësojë Anamorava.

“Nëse sot luftojmë për demarkacionin me Malin e Zi, nuk po luftojmë vetëm për territor, por po luftojmë që Serbia mos të vijë në paralagje të Gjilanit. Me demarkacionin me Serbinë, më së shumti do të preket Anamorava”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i Nisma-s për Gjilanin, Bajram Hasani, ka shpalosur punën e degës që ai ka udhëhequr gjatë kà «tyre dy vjetëve. Ai ka falenderuar për punën gjithë anëtarët e Nisma-s në Gjilan, duke potencuar se rruga e Nismas nuk ka qenë fare e lehtë.

Hasani është zotuar se puna e Nisma-s do të vazhdojë çdo ditë e më shumë.

“Gjatë këtyre dy viteve NISMA në Gjilan është shtrirë në çdo lagje dhe çdo fshat të qytetit. Por ky është vetëm fillimi, ne do të vazhdojmë të punojmë çdo ditë e më shumë që të shpijmë përpara politikat e NISMA’s.”, ka thënë Bajram Hasani.

Hasani ka vlerësuar se NISMA ka lindur si një nevojë e qytetarëve të Kosovës.

“Me punën tonë dy vjeçare ne kemi sjellë ndryshime të mëdha në skenën politike të vendit. Që në provën e parë të madhe, në zgjedhjet e vitit 2014 ne treguam se jemi një subjekt serioz e me qëllime të sakta duke u bërë kështu pjesë e Kuvendit të Kosovës” ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka thënë se Kosovës i duhen ndryshime. “Kosovës i duhet një frymë e re, dhe ajo frymë është NISMA për Kosovën” ka shtuar ai

Temat
LajmeVend

Të afërta