Koci: Qeveria dhe EULEX-i joserioz për zgjatjen e mandatit të EULEX-it

Avokati Arianit Koci në një prononcim për Indeksonline ka folur rreth vendimit për vazhdimin e misionit të EULEX-it në Kosovë.

Sipas Kocit Qeveria dhe EULEX-i kanë treguar mungesë serioziteti në këtë çështje.

Ai ka theksuar se letërkëmbimi në mes të Presidentit të Kosovës dhe Bashkimit Evropian duhet që të ratifikohet nga ana e 2/3 të deputetëve të Republikës së Kosovës.

“Mandati i EULEX-it përfundon nesër në ora 24.00. Nëse ratifikimi nuk ndodhë gjatë ditës së nesërme, EULEX-i mbetët pa mandat në Kosovë. Rrjedhimisht, asnjë gjykim me gjykatës të EULEX-it nuk mund të mbahet. “, raporton Indeksonline.

Gjithashtu Koci ka theksuar se si pasojë e kësaj situate për momentin hipotetike, të gjitha gjykimet që janë në zhvillim e sipër duhet të rifillojnë, ku në përbërje të trupave gjykues dhe kolegjeve, do të jenë vetëm gjykatësit vendor.

“Te prokurorët e EULEX-it, kemi situatë tjetër. Ata mund të zëvendësohem nga ana prokurorëve vendor, pa asnjë pasojë juridike. Kjo situatë konfuze, po krijon pasiguri juridike për qytetarêt e Kosovës. “, ka shtuar Koci.

Gjithashtu ai ka theksuar se në të njëjtën kohë, edhe Qeveria e Republikës së Kosovës edhe EULEX-i po tregojnë joseriozitet.

“Një marrëveshje ndërkombëtare e karakterit të tillë, nuk guxon të dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, në ditën e fundit të mandatit të EULEX-it. Çka ndodhë me sistemin gjyqësor nëse nesër eventualisht nuk ratifikohet kjo marrëveshje, nga ana e 2/3 e deputetëve të Kuvendit?”

Temat
LajmeVend

Të afërta