Shqipëria ka shpresa, kjo histori do ju bëjë të besoni më shumë

Para se të niste Kampionati Evropian i vitit 2004, dilemat ishin se cili superyll me skuadrën e vet do të dilte kampion. Në fund, një grup i lojtarëve totalisht të papërmendur dolën triumfues, duke shkaktuar një prej befasive më të mëdha në histori të futbollit.

Greqia ishte si autsajdere absolute në “Portugali 2004”.
Mirëpo pak kishin marrë shënim për performancën impresive të Greqisë në fushatën eliminatore, gjatë së cilës kishte humbur dy ndeshjet e para, por fitoi gjashtë të tjera dhe nuk pranoi gol në këtë seri të fitoreve.

Në atë që ishte një festival i shkëlqyeshëm i futbollit në një mot të nxehtë në Portugali, grekët me një skuadër solide dhe të fuqishme mposhtën një skuadër pas tjetrës, dhe plotësisht merituan titullin në fund.

Greqia po drejtohej nga Otto Rehhagel, një trajner gjerman me përvojë të madhe në drejtim të klubeve, ku kishte drejtuar edhe skuadrat si Werder Bremen e Bayern Muenchen në vendlindje.

Rehhagel ia doli të formonte një skuadër që funksiononte si një trup i vetëm, të fuste një disiplinë të hekurt, skuadër që fillimisht frustronte kundërshtarët e më pas thyente ata. Në ndeshjen e parë në Porto, grekët befasuan nikoqirin Portugalinë duke e mposhtur me shifrat 2:1.

Në çerekfinale, kampionia në fuqi Franca nuk ishte në gjendje të përballej me përkushtimin e Greqisë dhe pësoi humbje.

Në gjysmëfinale Greqia eliminoi Çekinë, që shumë njerëz e kishin vlerësuar favorite pas performancës së mirë në grup, me gol të artë të shënuar në shtesa, ndërsa lojtari kyç i Çekisë, Pavel Nedved, ishte larguar nga loja në pjesën e parë shkaku i një lëndimi.

Finalja në Lisbonë ishte mjaft e fortë. Portugalia, e drejtuar nga trajneri brazilian Luiz Felipe Scolari, ishte këndellur pas humbjes së pësuar në pjesën e parë, dhe ishte e përkushtuar që tifozëve të saj t’i jepte një fund të lumtur.

Por, grekët kishin ide tjera. Si në ndeshjet e kaluara, Greqia ishte shumë e organizuar në repartin defensiv e udhëhequr nga qendërmbrojtësi Traianos Dellas, dhe mesfushori luftarak Theodoris Zagorakis, që u shpall lojtari më i mirë i turneut. Dhe një sulmues si Angelos Charisteas theu zemrat e portugezëve.

Një gol me kokë i Charisteasit pas një goditjeje nga këndi në minutën e 57-të mjaftoi për t’i siguruar Greqisë titullin e Evropës, një triumf që grekët as që kishin mundur ta ëndërronin. Për disa nga yjet më të mëdhenj të kontinentit, turneu përfundoi në zhgënjim.

Zinedine Zidane dhe Franca, me gjithë rikthimin dramatik në ndeshjen e grupeve kundër Anglisë, nuk arritën ta merrnin veten dhe u eliminuan nga Greqia. Anglia dhe David Beckhami kishin premtuar shumë, ndërsa ishin të udhëhequr edhe nga sulmuesi tinejxher Wayne Rooney, por dështuan në çerekfinale pas ekzekutimit të penalltive nga Portugalia. Spanja dështoi të kalonte fazën e grupeve, ndërsa Holanda dështoi në gjysmëfinale nga Portugalia, ku pësoi 2:1.

Përfundimisht, ishte Greqia pa yje të njohur që pushtoi Evropën. Suksesi i Greqisë dha shembull në kontinent se me punë të madhe, besim, fat të mirë dhe me shpirt ekipor, çdo gjë është e mundur.

Temat
RajonSport

Të afërta