Dorëzohet ministri Bajrami: Testi në internet, betejë që nuk e fiton asnjë ministër në BE

Shpërndarja e testeve në rrjetet sociale, të cilat nuk ka arritur t’i ndalë asnjëherë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ministri Arsim Bajrami i ka quajtur betejë të fortë me internetin të cilën ende askush nuk ka arritur ta fitojë, madje as ministrat e BE-së.

Megjithatë, ai ka thënë se MASHT ka marrë edhe vendime të vështira siç është edhe anulimi i një pjese të këtij testi në mënyrë që rezultati të jetë sa më real.

Ai në një intervistë për KosovaPress ka thënë se në drejtim të ngritjes së cilësisë, MASHT tani do ta fillojë edhe testin kombëtar për mësimdhënës.

“MASHT është e vendosur që të përcaktoj standarde të larta të akreditimit, të respektoj në plotni kërkesat ligjore dhe siç e keni vërejt kemi filluar praktika të reja për akreditim sepse kemi filluar me refuzuar shumë programe, numri prej 460 programeve është një numër shumë i madh në disproporcion me nevojat e Kosovës”, ka thënë ministri Bajrami, duke shtuar se tashmë do të fillojë së funksionuari konferenca e rektorëve me qëllim të orientimit strategjik të universiteteve dhe kolegjeve për programet të cilat tregu kosovar ka nevojë.

Ndërkohë, edhe nëse Agjencia e Akreditimit do t’i mbyllë rreth 400 programe studimi, ministri Bajrami nuk do të ndërhyjë me kurrfarë vendimi që këtyre programeve t’ua vazhdojë punën.

Bajrami madje ka thënë se e përshëndet mbylljen e një numri të madh të programeve të studimit, pasi sipas tij, Kosova ka mjaft studentë dhe të diplomuar.

“MASHT asnjëherë nuk do të ndërhyjë me vendime politike tek akreditimi. Akreditimit është proces profesional, është proces i vlerësimit të jashtëm të cilësisë dhe ne kemi kërkuar prej agjencisë që t’i vendos këto standarde të larta sepse duhet të racionalizohet numri i programeve. E thash edhe më herët, Kosova nuk ka nevojë për 460 programe dhe nëse vjen deri te ky shkurtim i programeve, ne do ta përshëndesim sepse vendosen standarde, nuk është më prioritet i Kosovës kuantiteti dhe sasia në arsimin e lartë. I kemi 130 mijë studentë. Tani është prioritet vendosja e cilësisë, vendosja e orientimit strategjik drejt nevojave që i ka Kosova për drejtimet deficitare dhe ne do të kërkojmë nga Agjencia e Akreditimit që të mbetet e vendosur për të respektuar këto standarde dhe nuk do të bartim pasoja”, ka thënë ministri Bajrami, i cili gjendjen e përgjithshme në sektorin e arsimit në Kosovë e ka cilësuar si stabile.

Ai ka thënë se në drejtim të ngritjes së cilësisë, MASHT tani do ta fillojë edhe testin kombëtar për mësimdhënës.

“Gjendja e përgjithshme e sektorit të arsimit në Republikën e Kosovës është në proces të stabilizimit. MASHT tani siç e dini e ka vendos vetëm një prioritet dhe ai prioritet është ngritja e cilësisë në tërë sistemin arsimor, kur themi ngritja e cilësisë mendojmë në ngritjen e cilësisë në të gjitha dimensionet që nga standardi i mësimdhënies e mësim-nxënies e deri te menaxhimi i shkollave tona. MASHT për herë të parë ka vendosur që të pilotoj testin kombëtar për mësimdhënës në mënyrë që të shohim performancën e mësimdhënësve dhe vendosim se në cilat fusha na duhen trajnime shtesë për të krijuar mësimdhënës kompetent edhe në aspektin profesional edhe në aspektin pedagogjik, por sidomos në aspektin e përkushtimit të mësimdhënësve për përdorimin e teknologjisë së informacionit në shkolla. Tek arsimi i lartë e kemi filluar procesin e stabilizimit, tani më nuk ka kriza, tani universitetet do të bëjnë një konkurrencë në mes vete sa i përket garës për cilësi dhe sektori privat. Tek kolegjet private kemi vendos ligjshmëri, kemi vendos rend dhe rregull dhe kemi krijuar një ambient të mirë që në arsimin e lartë, sektori publik dhe privat të futen në një konkurrencë që në të ardhmen studentët tanë do të përcaktohen për të studiuar tek universiteti apo kolegji, ku diploma ka kredibilitet dhe ku ata do të mund të gjejnë edhe punë”, ka deklaruar ai.

Bajrami ka folur edhe për gjendjen në Universitetin e Prishtinës për të cilin universitet ka thënë se MASHT e respekton autonominë e këtij institucioni, mirëpo për këtë do të kërkojë llogaridhënie.

Ai u ka bërë thirrje edhe studentëve që për pakënaqësitë që i kanë lidhur me cilësinë në arsim, problemet në universitet ta ngisin zërin e tyre, pasi që duke qenë kritik dhe kërkues ndaj universitetit mund ta përmirësojnë këtë gjendje.

Ndërkohë, sa i përket provimit të maturës shtetërore, ministri Arsim Bajrami ka thënë se matura e organizuar sivjet ka qenë më e suksesshmja në dhjetë vitet e fundit.

Bajrami ka thënë se rezultati i arritur prej 65 për qind të kalueshmërisë është i kënaqshëm, duke shtuar se tani MASHT ka ndërmarrë masa konkrete për ata që kanë tentuar ta keqpërdorin këtë provim shtetëror.

Ai ka thënë se nuk do të lejojë që komunat të shtyhen në mes vete se cila po arrin rezultate më të larta, duke bërë që t’i fryjnë rezultatet, deri sa ka shtuar se MASHT ka marrë edhe vendime të vështira siç është edhe anulimi i një pjese të këtij testi në mënyrë që rezultati të jetë sa më real.

Ndryshimin e këtij provimi ndër vite, ku së fundmi të gjithë nxënësit do të pajisen me diploma, e ka quajtur hap pozitiv, pasi kjo do t’u ndihmojë të rinjve të punësohen menjëherë pas përfundimit të shkollimit të mesëm të lartë.

“Po kjo është pozitive sepse orientimi jonë është që nga 32 mijë maturantë sa kemi sivjet, gjysma të mos vijnë në arsimin e lartë por të punësohen, të shkojnë në tregun e punës dhe vetëm ata që kalojnë prej një pragu të arsimit, tek arsimi i lartë, duhet të vijnë te ky verifikim. Ky është një lehtësim që ne e kemi krijuar për studentët sepse nuk e fsheh që është prioritet i MASHT-it që në të ardhmen edhe sivjet do të jetë arsimi profesional. Siç e keni përcjellë, ne po e zhvillojmë një kampanjë të madhe që po penalizohet arsimi profesional, i lidhjes së shkollave tona profesionale me biznesin, jemi në prag të një suksesi të madh që ta bëjmë të obliguar për secilin nxënës të shkollës profesionale, praktikën profesionale, i kemi gjetur mbi 100 kompani, biznese që janë partnere, e kemi mbështetjen e Odës Ekonomike dhe në fund të muajit qershor do të finalizohet ky proces me nënshkrimin e një kontrate të madhe të bizneseve me të cilën nga një shtatori do të fillojnë të marrin nxënës”, është shprehur Bajrami

Ndërkohë, keqpërdorimet që nuk ka arritur t’i ndalë asnjëherë MASHT-i, Bajrami i ka quajtur betejë të fortë me internetin të cilën siç është shprehur ai ende askush nuk ka arritur ta fitojë.

“Asnjë ministër i BE-së nuk e ka fituar betejën me internetin. Interneti është një pushtet i veçantë dhe është iluzion që do të mund ta ndalim internetin apo mund të zbulojmë 10 apo 15 keqbërës që manipulojnë me internet, por siç e keni parë për herë të parë në MASHT ka veprime, ka penalizime. Ne kemi ndëshkuar shumë administratorë, shumë mësimdhënës por edhe nxënës, me disa po merret policia, kemi anulua teste që janë hapa të guximshëm, kemi anuluar komplet një komunë për të dërguar mesazhin që tani po vepron shteti ligjor, kemi krijuar mekanizma dhe ne do të jemi shumë të fuqishëm. Derisa i inkurajojmë shumicën absolute, 98 për qind e mësimdhënësve dhe nxënësve kanë qenë në nivel, kur them 98 duhet të merret me respekt dhe nuk guxon as media të krijoj paragjykim dhe për shkak të dy-tri rasteve të izoluara tani të krijojmë përshtypje sepse me këtë nuk i bëjmë shërbim të mirë as vet sistemit arsimor sepse në çdo vend sot interneti sfidon”, ka thënë ai.

Ndërsa, sa i përket regjistrimit të nxënësve në shkollimin e mesëm të lartë, ministri Bajrami ka thënë se beson që të gjithë nxënësit që do ta përfundojnë sivjet shkollimin e obliguar do të arrijnë të regjistrohen në shkollimin e mesëm të lartë, kjo për faktin se tashmë në Kosovë ekzistojnë shkollat publike dhe private në të cilat ka hapësirë për të gjithë filloristët.

Mirëpo, sa i përket teksteve shkollore të cilat MASHT i shpërndan çdo vit falas për të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës në shkollimin obligativ, ministri Bajrami tha se sivjet asnjë libër nuk ka mbetur rezervë.
Këtë deklarim ai e bëri pasi që kishte marrë kritika nga Komisioni për Arsim i Kuvendit të Kosovës se në bazë të kontratës së lidhur me shtëpitë botuese, MASHT-it i kanë tepruar stoqe me libra e të cilat buxhetit të shtetit i kanë kushtuar miliona euro.

Ai folur edhe për menaxhmentin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit e cila tash e më shumë se një vit funksionon me UD të drejtorit pas akuzave të ngritura për ish zyrtarët e kësaj agjencie për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bajrami tha se gjendja në këtë agjenci ishte stabilizuar menjëherë me zgjedhjen e Këshillit të ri, derisa ka thënë se këto ditë pritet të zgjidhet edhe drejtori i ri i cili do të udhëheq me këtë institucion.

Mirëpo, ministri Arsim Bajrami e ka mohuar se ka marrë vendim për njohjen e institucioneve të cilat së fundmi kanë hyrë në listën e institucioneve të akredituara në Shqipëri, ku bënë pjesë edhe kolegji “Kristal” e për të cilin Agjencia e Akreditimit në të kaluarën dhe vet MASHT-i kanë deklaruar se diplomat e këtij institucioni nuk do të pranohen për shkak të cilësisë së dobët dhe lëshimit të diplomave pa kurrfarë kriteri.

“MASHT nuk e ka marrë asnjë vendim për njohjen dhe akreditimin e diplomave të asnjë kolegji, e ka marrë vetëm një vendim për fillimin e pranimit të aplikacioneve, e kjo është faza e parë sepse Shqipëria nuk është një shtet armiqësor, Shqipëria është një shtet fqinj dhe një shtet i natyrshëm për Kosovën dhe mbi bazën e marrëveshjes ndërshtetërore që e kemi nënshkruar në mbledhjen e dytë të dy qeverive, ne jemi pajtuar që të ofrojmë një zonë të liberalizuar…”, ka deklaruar ministri.

Mirëpo, nëse diplomat e tilla MASHT do të mund t’i verifikojë, Bajrami ka thënë se për një gjë të tillë ekzistojnë rrugë zyrtare të identifikimit të diplomave duke shtuar se niveli i këtyre diplomave mund të paragjykohet.

Bajrami e ka përmendur edhe zyrën NRIC që funksionon në kuadër të MASHT-it e që merret vetëm me njohjen dhe barasvlerësimin e diplomave, ku ka thënë se nuk do të lejojë asnjë lëshim të keqpërdorimit të tyre.

Temat
LajmeVend

Të afërta