Reagon Qeveria për “Luginën e Diellit”: Serbia po i nxit komunat e Kosovës në veprime të paligjshme

Qeveria e Kosovës ka reaguar përmes një komunikate për media duke konsideruar si të papranueshme përpjekjen e qareve të caktuara, që në kundërshtim me ligjin të iniciohet ndërtimi i të ashtuquajturës “Lugina e Diellit”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës i konsideron të papranueshme përpjekjet e qarqeve të caktuara, që në kundërshtim me aktet ligjore dhe procedurale, të iniciohet ndërtimi i projektit të ashtuquajtur “Lugina e Diellit” në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës është informuar nga ministrat përkatës për këto veprime të kundërligjshme dhe ka ngarkuar Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor si dhe Ministrinë e Kthimit dhe të Komuniteteve, në bashkëpunim edhe me Komunën e Zveçanit, që të ndërmarrin masat e duhura për ndërprerjen e veprimeve të tilla dhe të përmbushen të gjitha kushtet ligjore”.

Më tej në sqarim thuhet se angazhohet të krijojë kushte normale, por duke respektuar ligjin, transmeton Indeksonline.

“Qeveria e Kosovës, po ashtu, e konsideron të papranueshëm implikimin e Qeverisë së Serbisë që duke nxitur komuna të caktuara të Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprime të paligjshme dhe në dëm të relacioneve ndërmjet qytetarëve të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet që të krijojë kushte normale për të gjithë qytetarët e saj si dhe kthimin e tyre në shtëpitë dhe vendbanimet e tyre pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

Ky proces, do të jetë i mundshëm dhe i qëndrueshëm vetëm duke respektuar ligjet të cilat ofrojnë siguri dhe stabilitet afatgjatë për çdo qytetarë dhe në linjë me proceset eurointegruese”.

Temat
LajmeVend

Të afërta