Fatmir Limaj: Kthimi i Vetëvendosjes në Kuvend dëmtoi kauzat e opozitës!

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka drejtuar akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ditën e djeshme u rikthye në Kuvend.

Limaj në një prononcim për Gazetën Blic ka theksuar se rikthimi i Lëvizjes Vetëvendosje në institucionin më të lartë qeverisës, është një lajm i keq.

“Kthimi i VV-së në Kuvend i ka dëmtuar dy kauzat e opozitës, atë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Demarkacionin”, ka thënë ai në një prononcim për Gazetën Blic.

I pari i Nismës për Kosovën ka rikonfirmuar se partia që ai drejton nuk do të kthehet në Kuvend, derisa ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Lëvizja Vetëvendosje ditën e djeshme u rikthye në Kuvend, me arsyetimin se bojkotimi i Kuvendit vetëm sa po i jep komoditet Qeverisë së Kosovës dhe koalicionit PDK-LDK.

Glauk Konufca, deputet i kësaj partie, ka theksuar për medie se arsyet e rikthimit të VV-së në Kuvend janë të shumta. Më kryesorja sipas tij, është pengimi i keqqeverisjes Mustafa si dhe pengimi i kalimit të shumë projektligjeve pa kurrfarë mbikëqyrjeje.

VV, AAK e Nisma për disa muaj ishin së bashku, duke bërë rezistencë në Kuvendin e Kosovës kundër dy marrëveshjeve: atë për Asociacionin dhe atë për Demarkacionin. Përpos që në Kuvend u përdor gaz lotsjellës kundër këtyre marrëveshjeve, në të njëjtën kohë ishin organizuar edhe disa protesta masive.

Temat
LajmeVend

Të afërta