Demolli nënshkruan marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes së Hungarisë

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Hungarisë, István Simicskó po qëndron për vizitë zyrtare në Budapest.

Të dy ministrat, Demolli dhe Ministri i Mbrojtjes së Hungarisë në emër të Ministrive respektive, nënshkruan Marrëveshje Bilaterale të Bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Në takimin dy palësh ministri i FSK-së, Demolli e ka falënderuar ministrin Simicsko dhe nëpërmjet tij shtetin dhe popullin hungarez për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën, institucionet dhe popullin e saj.

Më tej, Demolli theksoi se shteti i Hungarisë ka përkrahur Kosovën në të gjitha fazat e përpjekjeve të saj për shtet ndërtim, pastaj njohjen e realitetit të ri, pra njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Gjithashtu, tha Ministri Demolli, Hungaria ka kontribuar në përkrahje të stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë e në veçanti duhet çmuar angazhimi i shtetit të Hungarisë në përkrahje të agjendës së Kosovës për anëtarësim në NATO dhe integrim në Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Hungarisë, Istvan Simicsko e ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe në përgjithësi të Republikës së Hungarisë ofruan Republikës së Kosovës në të gjitha fushat, e sidomos në fushën e Integrimeve Euro-Atlantike.

Marrëveshja e bashkëpunimit Bilateral ndërmjet Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Hungarisë ka për qëllim bashkëpunimin zyrtar në fushën e arsimimit dhe edukimit, shkëmbimit të përvojave në rrugën e integrimit Euro-Atlantike, në menaxhimin e burimeve njerëzore, menaxhimin e krizave dhe të buxhetit, etj.

Temat
LajmeVend

Të afërta