Avokatët, Pro et Contra vazhdimit të mandatit të EULEX-it

Qeveria e Kosovës sot ka marr vendim që mandati i misionit të EULEX-it të vazhdojë edhe për dy vitet e ardhshme. Këtë vendim kryeministri Mustafa e ka arsyetuar duke thënë se kanë mbetur edhe shumë lëndë të tjera të papërfunduara nga ky mision.

Për avokatin Tomë Gashi, arsyeja kryesore e vazhdimit të këtij mandati është Gjykata Speciale.
“Momentin që deputetët e Kosovës e kanë votuar Gjykatën Speciale, gjykatë kjo e cila është e dëmshme për Kosovën pasi do të merret vetëm me gjykimin e ish pjesëtarëve të UÇK-së, këta deputetë të njëjtë kanë votuar për vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Këta kanë votuar në mënyrë të pavetëdijshme mirëpo kështu është kuptuar. Arsyeja kryesore e vazhdimit të punës së misionit të EULEX-it është Gjykata Speciale”, ka thënë Gashi për Indeksonline.

Sipas tij, edhe pse kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se janë lëndët e papërfunduara ato që e zgjasin këtë mandat, EULEX-i për tetë vite ka treguar rezultate me performancë shumë të dobët në krahasim me infrastrukturën që kanë, në krahasim me angazhimet që i kanë dhe ata nuk kanë arritur ta përfshijnë territorin e Kosovës.

“Mendoj se gjithçka ka qenë e kryer para se të votohet në parlamentin e Kosovës për shkak të Gjykatës Speciale”, ka thënë ai.

Tutje, Gashi ka thënë se EULEX-i ka krijuar disa lëndë të reja për ta bërë më të lehtë pranimin e këtij misioni në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe rastin e ish-deputetit Azem Syla.
Sipas Gashit, Kosova gjithmonë do të ketë misione të huaja të sundimit të ligjit derisa Gjykata Speciale të vazhdojë punën e saj.

“Ajo që është shumë e dëmshme është se ne nuk kemi afat se kur Gjykata Speciale do ta përfundojë misionin, kështu që i bie që misionet e huaja të sundimit të ligjit do të jenë edhe për një periudhë të gjatë kohorë në Kosovë dhe kjo e dëmton pavarësinë e Kosovës sepse 17 vite pas luftës ne do të duhej të ishim në gjendje edhe punët juridike te gjykatave dhe prokurorive t’i kryejmë vetë. Gjithçka është politike dhe për arsye politike është vazhduar edhe mandati i misionit të EULEX-it”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, sipas avokatit Arianit Koci, Kosova ende ka nevojë për këtë mision edhe pse ka pasur disa individë të cilët nuk kanë qenë në nivel të detyrës dhe ia kanë dëmtuar imazhin këtij misioni.
“EULEX-i ka bërë punë të mirë dhe besoj që vazhdimi i mandatit ka qenë veprim i duhur. Sidoqoftë, vazhdimisht kam potencuar që në kuadër të misionit te EULEX-it, ka pasur dhe ka individë që nuk kanë qenë në nivel të detyrës dhe rrjedhimisht edhe e kanë dëmtuar imazhin e këtij misioni”, ka thënë Koci për Indeksonline.

Sipas tij, vazhdimi i këtij mandati duhet shfrytëzuar maksimalisht në mënyrë që Kosova t’i marr në duar të gjitha kompetencat.

“Këtë vazhdim ne vendoret duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht që t’i marrim në duart tona të gjitha kompetencat dhe lëndët e profilit të lartë. Për momentin ende kemi nevojë për EULEX-in”, ka thënë Koci./Indeksonline/

Temat
LajmeVend

Të afërta