A duhet lejuar mbulesa për femrat në Policinë e Kosovës?

Përderisa mbulesa paraqitet si obligim për femrat myslimane, disa nga institucionet shtetërore në Kosovë nuk e lejojnë një gjë të tillë. Në institucionet në të cilat është e ndaluar një gjë e tillë, është edhe Policia e Kosovës.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani dispozitat e rregullores së Policisë së Kosovës zbatohen për të gjithë personelin e Policisë së RKS-së.

“Ekzistojnë procedurat ligjore, udhëzimet administrative dhe rregulloret e brendshme të PK-së që përcaktojnë detyrat, përgjegjësitë, sjelljet, kodin e etikës, standardet e uniformës dhe autorizimet e punonjësve të Policisë së Kosovës”, ka thënë Kelani për Telegrafin.

Kelani po ashtu ka shtuar se ekziston rregullorja për standardet e uniformës dhe furnizimit të zyrtarëve policorë me uniformë policore dhe me rroba civile, si dhe standardet e veshjes së stafit civil, e cila përcakton rregullat dhe standardet e uniformës policore, rrobave civile përderisa personeli policor janë në kryerje të detyrës, me qëllim që të krijohen standarde unike për mënyrën e bartjes së uniformës dhe dukjes së personelit policor.

E kjo gjë për institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës, është një shkelje e të drejtave të njeriut.

Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, në një prononcim për Telegrafin ka thënë së kemi të bëjmë me shkelje të drejtave të njeriut, pasi që sipas tij, në shtetet demokratike lejohet që edhe policet femra të mbajnë mbulesë.

“Është e drejtë e secilës femër police që të mbaj mbulesë nën uniformës e policisë. Në shtetet Evropiane dhe Perëndimore të gjitha femrave të cilat mbajnë mbulesë iu është përcaktuar uniforma me mbulesë”, ka thënë Sadriu, duke pranuar se edhe ashtu, BIK-u nuk është se ka bërë ndonjë kërkesë të tillë drejtuar institucioneve përkatëse.

Ndërsa kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë për Telegrafin se nuk është shkelje e të drejtave të njeriut pasi që policia është në shërbim shumë specifik dhe e ka të përcaktuar uniformën.

Sipas tij, të gjithë ata të cilët hyjnë nëpërmjet policisë dhe ushtrisë apo disa shërbimeve të cilat janë shumë specifike e kanë të ditur se si duket uniforma e policisë.

“Mendoj që nëse një police të Policisë së Kosovës nuk i lejohet uniforma me mbulesë, atëherë kjo nuk është shkelje e të drejtave të njeriut sepse paraprakisht i ka pranuar ato kushte. Mbulesa tek ne po keqpërdoret. Mbulesa duhet të përdoret si diçka personale”, konsideron Shala.

Ndryshe në Policinë e Kosovës janë të punësuar 8981 punonjës, prej të cilëve 7885 janë zyrtarë policorë, ndërsa 1096 staf Civil. 86.06% e personelit të PK-së i takojnë gjinisë mashkullore, ndërsa 13.94% gjinisë femërore, prej të cilëve 83.75% i takojnë përkatësisë etnike shqiptare, ndërsa 16.25% i takojnë grupeve tjera etnike.

Ditë më parë, mediat botërore kanë raportuar se njëri ndër vendet evropiane pritet tua lejojë policeve myslimane që edhe gjatë aktivitetit të tyre zyrtarë të bartin mbulesën.

Bëhet fjalë për Policinë e Skocisë e cila pritet ta bëjë edhe mbulesën (hixhabin) si pjesë të uniformës, për siç thuhet në përpjekje për të tërhequr më shumë gra myslimane për të reflektuar diversitetin e popullsisë së vendit. /Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta