Shëndetësia, plan të ri për luftën kundër duhanit

Sipas të dhënave, jetëgjatësia e një personi që pi duhan, shkurtohet deri me 10 vjet, ndërsa vdekjet mes grupmoshave që pinë duhan, janë 5 herë më të larta se mes atyre që nuk e pinë atë.

Përveç rritjes së çmimit të paketave, mjediseve pa duhan dhe eliminimit të reklamës së cigareve, së fundmi shtohet edhe një tjetër masë në luftën kundër duhanit, heqje e imazheve dhe teksteve promovuese nga paketat. Duke filluar nga data 1 Janar 2018, të gjitha paketat e duhanit që do të tregtohen në vendin tonë, do të kenë në mënyrë të dukshme në ambalazhin e tyre figura që tregojnë sëmundjet dhe dëmet e mëdha në shëndetin e njerëzve që shkaktohen nga duhanpirja. Te paketat e reja, do të vendosen paralajmërimet për efektet shkatërruese të duhanit në shëndet, jo vetëm përmes teksteve, por edhe përmes një serie fotografish të “sëmundjeve të tmerrshme”. Vendimi për paketimin e ri të paketave të duhanit vjen në kuadër të masave të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, masë e cila ka nisur të zbatohet prej 10 ditësh në të gjitha vendet e BE-së.

Paketimi i ri

Në këtë rast, ka të bëjë me atë që quhet “paketim gjenerik”, që nënkupton që të gjitha paketat e duhanit të duken njësoj sepse edhe germat “font-i”, do të jenë të detyrueshme të jenë të njëjtat për çdo lloj pakete, por i vetmi ndryshim është emri i markës tregtare, pra ose Marlboro, ose Kent, ose Camel. OBSH dhe Sekretariati i Konventës Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit, kanë bërë thirrje që, çdo palë të miratojë dhe zbatojë masa efektive për një paketim të thjeshtë (standard) të produkteve të duhanit.. Paketimi i thjeshtë i produkteve të duhanit rrit efektivitetin e paralajmërimeve shëndetësore, nuk promovon një produkt duhani me mjete false, mashtruese, zhgënjyese ose që ka të ngjarë të krijojnë përshtypje të gabuara për karakteristikat e tij, efektet shëndetësore, rreziqet dhe/ose dëmtimet, duke përfshirë çdo term, përshkrim, shenjë dalluese, shenjë figurative ose ndonjë shenjë tjetër që në mënyrë direkte ose indirekte krijon një përshtypje false që një produkt i veçantë duhani është më pak i dëmshëm se prodhimet e tjera të duhanit. Konventa Kornizë për kontrollin e Duhanit në udhëzimet për nenet 11 dhe 13, rekomandon që palët të miratojnë dhe zbatojnë, paketimin e thjeshtë si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse multisektoriale për kontrollin e duhanit. Hartuesit e politikave, individët dhe organizatat e shoqërisë civile, të inkurajojnë qeveritë e tyre që të marrin masa për miratimin e paketimit të thjeshtë.

Sëmundjet

Sipas të dhënave të Shoqatës Shëndetësore Botërore (WHO) në vitin 2006, 4.8 milionë persona kanë vdekur nga sëmundjet e shkaktuara nga duhani. Ky numër mendohet të arrijë në 10 milionë në vitin 2025. Gjithashtu, cilësohet se nga kjo shifër, 7 milionë persona i përkasin vendeve në zhvillim si vendi ynë dhe 25-30% e personave vdesin më herët nga duhani. Duhani është shkaku i 35% të vdekjeve nga kanceri te meshkujt dhe 15% të vdekjeve nga kanceri te femrat. Duhani është shkaku i 90% të vdekjeve nga kanceri i mushkërive. Kanceri i mushkërive zë vendin e parë në vdekjet nga kanceri. Personat që pinë duhan kanë një rrezik për kancer të mushkërive 20 herë më të madh se personat që nuk e pinë duhanin. Edhe ata që nuk e pinë duhanin por janë nën ndikimin e atyre që e pinë (duhanpirës pasivë) kanë një rrezik për kancer të mushkërive 3 herë më të madh në krahasim me ata që nuk pinë. Ata që pinë duhan, përveç kancerit të mushkërive, rrezikojnë të preken nga kanceri i gojës, gjuhës, buzës, fytit (laringu), rrugës së ngrënies (ezofagus), pankreasit, veshkave, fshikëzës së urinës, prostatit dhe qafës së mitrës. Gratë të cilat, pavarësisht se nuk pinë, janë nën ndikimin e tymit të duhanit, kanë një rrezik më të rritur për kancerin e gjirit. Duhani është shkaku kryesor i sëmundjeve të mushkërive dhe të rrugëve të frymëmarrjes, që shfaqën më vështirësi në frymëmarrje, si p.sh. bronkiti kronik dhe emfizema. Rreziku i krizës së zemrës është 3 herë më i lartë tek ata që pinë duhan. Duhani ndikon në qarkullimin e gjakut dhe në enët e gjakut. Më këtë ndikim, rritet rreziku për sëmundjet e enëve të gjakut të trurit dhe rreziku për t’u paralizuar. Duhani shkakton gangrenë të këmbëve. Gratë që pinë duhan rrezikojnë të kenë më tepër aborte të padëshiruara, lindje të parakohshme, lindje të bebeve më peshë të vogël dhe infertilitet. Gratë që përdorin ilaçe për kontrollin e shtatzënisë (kontraceptive oral) dhe pinë duhan, rrezikojnë të kalojnë krizë zemre. Duhani shkakton impotencë te meshkujt. Duhani rrit rrezikun e ulcerës së stomakut dhe ngadalëson shërimin e saj. Duhani shkakton tharje të lëkurës, sëmundje të psoriazës dhe lehtëson formimin e kataraktit në sy. Sipas të dhënave, jetëgjatësia e një personi që pi duhan, shkurtohet deri me 10 vjet, ndërsa vdekjet mes grupmoshave që pinë duhan, janë 5 herë më të larta se mes atyre që nuk e pinë atë. Ekspertët thonë se fëmijët janë më të pambrojturit ndaj tymit të duhanit. Mbajtja e fëmijëve në mjedise ku pihet duhan mund të bëhet shkak për sëmundje të tjera më të rrezikshme. Tymi i lëshuar nga të tjerët, te fëmijët, bëhet shkak për infeksione në gjoks, bronkit dhe infeksione të veshit dhe astmë.

Të dhënat:
Sipas të dhënave të fundit të GYTS (Global Youth Tobaço Survey) 2015, krahasuar me ato të 2009-s, tregojnë se duhanpirja për të rinjtë 13-15 vjeç në Shqipëri raportohet të jetë përgjysmuar, duke u ulur në 6% nga 11.5% që ishte në 2009, ndërkohë, për meshkujt e kësaj grupmoshe, shkalla e duhanpirjes është ulur në 8.3% nga 17.6%, ndërsa për femrat, në 3.6% nga 6.3%”.

Vendet:
Në dhjetor 2012, Australia u bë vendi i parë për zbatimin e plotë të paketimit të thjeshtë.
Në vitin 2015, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe Franca kanë kaluar të gjitha ligjet për zbatimin e paketimit të thjeshtë, duke hyrë në fuqi për zbatim në muajin Maj 2016.
Një numër tjetër vendesh janë në fazat e avancuara të miratimit të neneve për paketimin e thjeshtë./Indeksonline/

Temat
Shëndet

Të afërta