Lirak Çelaj: Edhe nëse shkojmë në zgjedhje, PDK prapë fiton

Zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj nuk e ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve nëse arrihet një konsensus midis të gjitha institucioneve relevante. I pyetur nëse PDK ndjehet e gatshme të garojë në rast të mbajtjes së zgjedhjeve si rezultat i kërkesave të opozitës në kundërshtim të marrëveshjeve ndërshtetërore me Serbinë, Çelaj ka thënë se subjekti i tij do të hynte me vetësigurinë më të madhe.

“Kemi konsideruar se nuk është në të mirën e vendit që mos ta çojmë vendin në krizë me zgjedhje kur nuk presim ndërrim të rezultateve. PDK – ja do të hynte me sigurinë më të madhe që të del subjekti i parë. Pra, për neve nuk ndryshon asgjë.

Por, konsiderojmë se është një shpenzim kot dhe është një maltretim i qytetarit. Dhe kjo është arsyeja pse i kemi refuzuar, në një farë mënyre kemi kërkuar që t’i përmbahemi ligjit, sepse nuk mundemi kur secilit individ që t’i teket të mbajmë zgjedhje.

Mos të krijojmë precedan që atëherë secili subjekt, kujt nuk i pëlqen, në vazhdimësi të bëjë kërkesa të tilla dhe ashtu na mbetet që vazhdimisht të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Lirak Çelaj në intervistën Saktë.

Intervista e plotë “Saktë” do të transmetohet sonte në ora 22:00 në televizionin First Channel dhe në portalin sakte.net.

Temat
LajmeVend

Të afërta