Koci: Në PDK më thanë se ndërkombëtarët nuk duan që unë të jem ministër

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se PDK nuk e ka propozuar për Ministër të Drejtësisë emrin e Gani Kocit.

Ndërsa Gani Koci, që mban pozitën e zëvendësministrit të Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se Kryesia e PDK-së e ka propozuar që ai të jetë Ministër i Drejtësisë.

Koci ka thënë për Indeksonline se Mustafa e ka ditur që është i propozuar për ministër. Por Koci nuk është ende i sigurt se a kanë proceduar partia kërkesën.

“Unë nuk kam çka t’i shtoj më shumë asaj që kam thënë deri më tash. Vendimi i Kryesisë dy herë i konfirmuar, ka qenë që unë të jem në postin e Ministrit të Drejtësisë. Se a kanë procedu, a kanë biseduar, unë nuk e kam të qartë, por besoj që zoti Mustafa e dinë mirë që para se të qohen propozimet që kanë pasur edhe biseda në media se unë do të jem i propozuari, ai ka folur për dy që kanë qenë të pritur që do të propozohen, për Hajredin Kuçin dhe Enver Hoxhajn dhe jo për mua”, ka thënë Koci për Indeksonline.

Koci konsideron se Mustafa është duke luajtur me fjalët e veta, por ka thënë se nuk e fajson, sepse ende nuk e ka të qartë a ka shkruar propozimi zyrtar në Qeveri, respektivisht te kryeministri.

“Kur është biseduar për ata dy zoti Mustafa e ka ditur që edhe unë jam i propozuari, ose i preferuari i partisë që të jem në postin e Ministrit të Drejtësisë. Andaj zoti Mustafa luan me fjalë të veta, por unë nuk dua ta fajsoj zotin Mustafa sepse nuk e kam të qartë dhe nuk e di a ka shkuar propozimi në mënyrë zyrtare në formën e shkruar në Qeveri, respektivisht te kryeministri Mustafa”.

Koci ka thënë se duhet të pyetur në parti a e kanë dërguar propozimin zyrtar, ose më konkretisht kryetarin PDK-së, Kadri Veselin.

“A e ka dërguar partia, këtë pyetje duhet t’ia bëni kryetarit zotit Veseli, jo mua, sepse unë s’kam qenë në këto bisedime. Por kur është biseduar për dy propozimet, Kuçin dhe Hoxhajn, nuk e besoj që zoti Mustafa nuk e dinë që edhe unë kam qenë i propozuar. Fshehja pas asaj që s’kam marr asgjë me shkrim, ai e dinë se edhe unë kam qenë i propozuar”.

Koci ka konfirmuar për Indeksonline se në mënyrë jo zyrtare nga zyrtar të lartë të PDK-së i është thënë se nuk është i preferuari i ndërkombëtarëve.

“Në mënyrë jo zyrtare, unë kam informacion edhe nga njerëzit e partisë, disa njerëz të lartë të partisë se gjoja ndërkombëtarët kanë rezerva dhe asgjë më shumë. Ku dhe si i kanë këto rezerva unë nuk e kam të qartë. Unë konsideroj se vendimi Kryesisë së Partisë akoma është në fuqi, përderisa nuk është zgjedhur dikush tjetër në atë post dhe përderisa Kryesia nuk e shfuqizon atë vendim të më parshëm. Zoti Mustafa mos të luaj me fjalë sepse ai e dinë se ka biseduar edhe për emrin tim”, ka thënë Koci për Indeksonline.

Temat
LajmeVend

Të afërta