Çelaj: Kosova është e pafuqishme në bisedime karshi Serbisë (Video)

Në intervistën “Saktë”, i ftuar ishte zv.Ministri i Drejtësisë dhe shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj.

I pyetur se a është shteti i Kosovës mjafueshëm i fuqishëm që t’i shtyej përara agjendat që janë në interes të Kosovës në tryezën e bisedimeve me Serbinë, zëvendësministri Lirak Celaj e ka pranuar se Kosova si shtet nuk e ka atë fuqi.

“Me vetë faktin që kemi hyrë në biseda me Serbinë nëpërmjet… praktikisht ne dialogojmë me Brukselin, nënkupton që nuk jemi të fortë. Po të ishim të fortë do t’i impononim drejtpërdrejtë qëndrimet tona. Prandaj, në njëfarë mënyre, garantues ka hyrë Brukseli dhe ne nuk kemi rrugë tjetër pos që të besojmë se forca e Brukselit është ajo që do ta detyrojë Serbinë që t’i zbatojë këto. Bashkimi Evropian ka forcën, ka mundësitë për ta kushtëzuar dhe për ta imponuar zbatimin e këtyre veprimeve të Serbisë, ashtu siç po na imponon edhe neve disa”, është shprehur Celaj, i cili ka thënë se shpreson se BE do të jetë më konsistente në detyrimin e të dy palëve për respektimin e marrëveshjeve të arritura.

Risjellim në vëmendje se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalimit të tij në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme, duke iu referuar vendeve të Bashkimit Europian, ka thënë se pavarësia e Kosovës duhet të njihet ndërkombëtarisht. Ai po ashtu pati deklaruar se Kosova dhe Serbia në Bruksel po dialogojnë si dy shtete të barabarta, deklaratë kjo që nuk i ka konvenuar aspak Serbisë dhe ka nxitur reagimin e misionit serb në OKB.

Kjo intervistë realizohet si bashkëpunim i portalit sakte.net dhe televizionit First Channel.

Temat
EmisionetLajmeVend

Të afërta