Abrashi: Për veteranët, s’prishemi me FMN-në

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, thotë se ky dikaster qeveritar është në konsultime të vazhdueshme për ta gjetur një zgjidhje për pagesat për veteranët e UÇK-së.
Ai ka deklaruar për “Zërin” se me këtë rast janë duke i adresuar edhe shqetësimet për numrin e madh të veteranëve, në mënyrë që kostoja për pagesat e tyre do të ishte e përballueshme për buxhetin e shtetit dhe njëkohësisht nuk do të rrezikonte marrëveshjen me FMN-në.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se beneficionet e lidhura me luftën janë duke bërë presion gjithnjë më të madh në buxhet dhe kjo kategori po i minon përpjekjet e autoriteteve për ta ruajtur qëndrueshmërinë fiskale, duke krijuar hapësirë për projekte kapitale që nxisin rritje dhe shpenzime të tjera prioritare. Kjo pasi që numri i veteranëve ka arritur në 46 mijë dhe se ka dyshime për “fryrje” të numrit të tyre.

Edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, ka thënë për “Zërin” se një numër i tillë i veteranëve do të jetë ngarkesë e madhe për buxhetin e shtetit.

“Lista e veteranëve është e mbyllur, ndërsa jemi duke i pritur listat e invalidëve të luftës para se të ndërmarrim hapa për veprime të mëtutjeshme. Në anën tjetër thënë përmbledhtazi për t’i përmbushur kërkesat e më shumë se 46 mijë veteranëve të luftës, nuk do të jetë aspak e lehtë, përkundrazi, sepse thjesht ky numër tejkalon shumë të gjitha parashikimet tona. Për rrjedhojë kjo shkakton probleme tjera, sepse tejkalon gjithashtu edhe qëndrueshmërinë buxhetore”, ka thënë Abdullahu.

Temat
LajmeVend

Të afërta