“Në Bruksel askush nuk ma përmendi se ratifikimi i demarkacionit është kusht për liberalizim, as Hamiti as Haliti, andaj nuk e di pse po heshtin këta dy”, tha Pal Lekaj i AAK-së, në emisionin ‘Rrokum Roll’ të TV Rrokum.
Lekaj ka adresuar kritika të forta ndaj Qeverisë, në lidhje me temat e Demarkacionit dhe Asociacionit.
Ai ka thënë se nuk ekziston asnjë afatizim sa i përket Demarkacionit dhe as ndonjë kushtëzim për Asociacionin për liberalizim të vizave.
“Krejt ky trillim është interes i Qeverisë se Kosovës. Janë mundue t’i hutojnë qytetarët e Kosovës dhe ta godasin opozitën”, tha Lekaj.
Lekaj tha se nuk janë penduar që kanë hedh gaz lotsjellës.
“Dita-ditës po bindem se s’kemi gabue që kemi hedh gaz lotsjellës, sepse Qeveria i ka mashtrue qytetaret dhe ka punue në dëm të Kosovës”.
Ai tha se “Koalicioni qeverisës nuk i ka votat dhe nuk ka me u ratifikue marrëveshja, sepse shumë deputetë nuk kane me votue, për arsye se ne ju kemi ofrue argumente të fuqishme që mos me votue”.
Lekaj foli edhe për vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje që të kthehet në Kuvend.
“Mbas takimeve të fshehta me Veselin, VV u kthye në Kuvend. Andaj Vetëvendosje mos të na shes dushk për gogla”, tha ai.