Një vajzë tre vjeçare dje ka humbur jetën si pasojë e shembjes së një objekti të vjetër tek Shadërvani në Prizren.
Ngjarja tragjike ndodhi kur vajza bashkë me një shoqe të saj po luante në afërsi të objektit, i cili u shemb dhe e la atë të vdekur, derisa vajza tjetër mori lëndime trupore, transmeton Indeksonline.
Mjeku i Spitalit Rajonal të Prizrenit, Sadri Hulaj ka thënë për Indeksonline se kur vajza u dërgua në emergjencë, ajo tashmë kishte vdekur.
“Një vajzë e moshës 3-4 vjeçare është sjell dje pa shenja jete në spital rreth orës 15:35. Ajo është ranimuar nga ekipet kujdestare, mirëpo kur erdhi veçse ishte pa shenja jete”, ka thënë Hulaj.
Ai ka theksuar se vajza e cila po luante me viktimën nuk është dërguar për trajtim mjekësor, sepse nuk kishte lëndime të rënda.
“Nuk kemi pranuar ndonjë rast tjetër, e sa kam informata unë vajza tjetër ka qenë e lënduar, mirëpo jashtë rrezikut për jetë, në Emergjencë është sjell vetëm një vajzë”, ka shtuar Hulaj.
Pas rastit të djeshëm kanë reaguar institucionet qendrore dhe lokale, të cilat kanë kërkuar mirëmbajtjen e objekteve të vjetra. Po ashtu, për rrënimin e këtij objekti është akuzuar edhe udhëheqja lokale për neglizhencë.