Bajrami: Mësimdhënësit do t’i nënshtrohen testimit të performancës

Rasti i fundit në Janjevë, ku mësuesja ka goditur nxënësin e saj 7-vjeçar brenda klasës, ka bërë që ministri i Arsimit të deklarojë edhe një herë se në Kosovë ka mësimdhënës që nuk meritojnë të jenë në këtë pozitë, raporton KTV.

Arsim Bajrami paralajmëron se këto raste do të dënohen patjetër.

Bajrami është shprehur se nuk duhet të ketë vend për asnjë mësimdhënës që për çfarëdo arsye godet nxënësit e tij.

Ministri thotë se shumë shpejt profesorët do t’i nënshtrohen testimit të performancës, në bazë të së cilës do të vërtetohet se kush është i denjë për këtë pozitë e kush jo.

Ministri thotë se nuk i beson as Inspektoratit të ministrisë që ai drejton, pasi shumica e këtyre rasteve, po kalojnë në heshtje pa iu shqiptuar dënimi i merituar.

Një ditë më parë, Kohavisioni raportoi shqetësimin e një nëne, i biri i së cilës nuk po e vijon klasën e parë meqë thotë të jetë rrahur nga mësuesja.

Derisa mësuesja nuk ka reaguar ndaj raportimit, Kohavisioni ka paraqitur versionin e prindërve që kanë raporte mjekësore mbi traumat e fëmijës dhe qëndrimin e drejtorit të shkollës, i cili ka mbrojtur mësuesen.

Temat
LajmeVend

Të afërta