Shqipëri-Zvicër, lajm i mirë për helvetët

Pas alarmit oër Johan Djourou, te Zvicra rikthehet qetësia. Mbrojtësi i qendrës nuk u aktivizua në miqësoren e fundit, që helvetët fituan 2-1 në Lugano me Moldavinë.

Shkak u bë një problem në pulpë dhe stafi mjekësor i përfaqësueses vendosi që lojtari nuk duhej të rrezikonte. Por, pas kontrolleve të fundit mjekësore, u konfirmua se Djourou nuk kishte pësuar asnjë dëmtim, por bëhej fjalë thjesht për lodhje të muskujve.

Kjo bën që lojtari i Hamburgut në Bundesligën gjermane të jetë normalisht në dispozicion të trajnerit Vladimir Petkovic, për ndeshjen e parë që Zvicra do të luajë të shtunën, më 11 Qershor në Lens me Shqipërinë.

Konfirmimi për gjendjen e mirë shëndetësore të lojtarit u dha edhe nga drejtuesi i stolit. Petkovic deklaroi se analizat treguan se futbollisti nuk ka pësuar asnjë dëmtim, ndërsa pas ndeshjes me Moldavinë ai zhvilloi stërvitje të lehtë me lojtarët që nuk u aktivizuan.

Djourou pritet të kthehet normalisht në stërvitjet e skuadrës prej së hënës, dita kur përfaqësuesja helvete do të udhëtojë drejt Montpellier-it, qyteti ku do të qëndrojë e grumbulluar gjatë Europianit në Francë.

Temat
BotëRajonSport

Të afërta