Mogherini ka një porosi për Shqipërinë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini ka reaguar përmes një deklarate zyrtare këtë të diel mbi reformën në drejtësi në Shqipëri, të cilën e quan si tepër të rëndësishme për hapin e radhës së vendit drejt integrimit në BE.

“Reforma e thellë dhe tërësore e sistemit të drejtësisë ka qenë një kërkesë prej një kohe të gjatë e shumicës së qytetarëve shqiptarë. Drafti legjislativ që është aktualisht përpara Parlamentit reflekton rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe është në përputhje të plotë me standardet europiane. Është thelbësore gjithashtu, që ky draft të miratohet nga një shumicë prej 2/3-tash të parlamentarëve shqiptarë”, thotë Mogherini.

Duke e cilësuar si një votim, për të cilin mban përgjegjësi të veçantë çdo politikan i Kuvendit të Shqipërisë, por edhe çdo grup politik, Mogherini thekson se “reforma mund të jetë fillimi i një kapitulli të ri në historinë tonë të përbashkët.
“Siç e theksova edhe kur fola para Parlamentit shqiptar herën e fundit që isha në Tiranë, ajo i hap rrugën një fillimi të ri, ndaj dhe presim që të gjithë forcat politike të shfrytëzojnë raundin e fundit të konsultimeve të ditës së hënë për ta miratuar këtë propozim”.

Në fund, Mogherini shprehet se Bashkimi Europian ka besim te të gjithë partnerët shqiptarë se do të demonstrojnë angazhimet e tyre për këtë reformë, duke e miratuar atë dhe jo vetëm, por duke bërë të gjitha përpjekjet edhe për implementimin e saj, raporton TCH.

“Qytetarët e Shqipërisë presin që lidershipi i tyre politik ta bëjë këtë gjë”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga zëdhënësja Maja Koçijançiq.

Temat
LajmeRajon

Të afërta