Hahn s’e ka për futbollin: Ditët e ardhshme vendosin nëse Shqipëria do të shkojë në Evropian

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, ka dhënë një deklaratë sot ku natyrisht s’e ka pasur fjalën për futbollin po për reformën në drejtësi.

Duke tentuar të nxisë miratimin e saj, ai tha se “ditët e ardhshme do të vendosin nëse Shqipëria do të përparojë drejt Kampionatit Evropian apo nëse do të qëndrojë në fazën e grupeve.”

Deklarata e tij: “Përshëndes punën konstruktive të bërë deri tani për reformën themelore të drejtësisë në Shqipëri që është mbështetur nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë si Euralius, OPDAT apo Komisioni i Venecias.

Një miratim i shpejtë i reformës dhe zbatimi i saj pasues është tashmë kyç. Kjo jo vetëm që do t’i përgjigjej mbështetjes së madhe publike në Shqipëri për reformimin e sistemit të drejtësisë, por do të sinjalizonte gjithashtu një angazhim të qartë ndaj standardeve evropiane dhe procesit të integrimit evropian.

Tani është me rëndësi të bëhet dhe kilometri i fundit dhe të sigurohet shumica prej dy të tretash që nevojitet për ndryshimet përkatëse kushtetuese. Prandaj, i nxis të gjitha palët, përfshirë opozitën, që ta vendosin interesin e vendit të tyre dhe atë të qytetarëve mbi interesat e tyre individuale dhe të gjejnë kompromise për çështjet e mbetura politike, pa kompromentuar thelbin e draft reformës të pranuar ndërkombëtarisht.

Ditët e ardhshme do të vendosin nëse Shqipëria do të përparojë drejt Kampionatit Evropian apo nëse do të qëndrojë në fazën e grupeve,” thuhet në deklaratë.

Temat
LajmeRajon

Të afërta