Të premten aktgjykimi në gjyqin ndaj Gani Gecit

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Mitrovicë do ta shpallë të premten aktgjykimin ndaj Gani Gecit, i cili akuzohet se më 4 gusht 2014 ka vrarë Ruzhdi Shaqirin në kafenenë “N’Qosh” në Skenderaj.

Seanca kur do të shpallet aktgjykimi në rastin e Gani Gecit do të zhvillohet të premten, duke nisur nga ora 10:00.
Kështu u bë e ditur sot në seancën ku fjalën përfundimtare e dhanë prokurorja e EULEX-it, Nita Amin, dhe Ndrec Dodaj, avokati i të akuzuarit.
Prokurorja ka kërkuar që Gani Geci të dënohet ashtu qysh e parasheh ligji.
“Ne kërkojmë nga trupi gjykues që i pandehuri Gani Geci të dënohet ashtu qysh e parashohin dispozitat ligjore për veprat me të cilat ngarkohet ky i pandehur”, tha Nita Amin.

Ndërsa avokati i Gecit, Ndrec Dodaj, ka thënë së klienti i tij ka qenë cak i shumë atentateve para dhe pas luftës.
“Gani Geci ka luftuar në hierarkinë e ish-presidentit Rugova dhe shumë grupe të tjera siç edhe dihen në Kosovë e kanë luftuar këtë ideologji, andaj prokuroria duhet ta ketë parasysh së vetëm në Skenderaj Gani Gecit ju kanë vrarë 11 shokë ndërsa në tërë Kosovën janë 31”, theksoi Dodaj.
Duke e kërkuar lirimin e klientit të tij, avokati ka kërkuar nga trupi gjykues që të bazohet në provat të cilat janë administruar në Gjykatë e jo sipas pretendimeve të Prokurorisë dhe të mos e pranojë cilësimin që Prokuroria ia ka bërë klientit të tij.

Gjithashtu, në fillim të seancës së sotme një dëshmi të shkurtër e ka ofruar para trupit gjykues gruaja e të ndjerit Ruzhdi Shaqiri.
Për dallim nga seancat e kaluara ku palën e dëmtuar e ka përfaqësuar mbrojtësi i viktimave nga Prokuroria e shtetit në seancën e sotme këtë palë e ka përfaqësuar Sokol Dobruna, ish-udhëheqësi i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.

Dobruna gjatë fjalës përfundimtare ka qenë i shkurtër duke e mbështetur fjalën e prokurores. Mirëpo, në një rast ai e ka pranuar së gjatë kohës së luftës së UÇK-së ka pasur një urdhër për vrasjen e Gecit.
“Nuk kam dhënë unë urdhër që ti të pushkatohesh, ty të ka dënuar Gjyqi Ushtarak i cili ka vepruar në atë kohë. Unë madje s’kam lejuar të bëhet pushkatimi sepse kanë qenë bombardimet e NATO-s dhe nuk ka pasur mundësi ditën të bëhet e natën unë s’kam lejuar”, shtoi Dobruna duke iu drejtuar Gani Gecit, i cili nuk u lejua nga trupi gjykues që t’ia kujtojë Dobrunës fjalët që i kishte thënë më herët rreth kësaj pune.

Edhe Gani Geci ka folur për të fundit herë para këtij trupi gjykues dhe ka thënë se pse ai është gjallë duhet falënderuar vëllezërit e tij, të cilët e kanë përcjellë dhe përkrahur në çdo kohë.
Ndërsa seanca ku Geci pritet të lirohet apo të shpallet fajtor për ngjarjen e 4 gushtit të 2014 në Skenderaj, ku mbeti i vrarë Ruzhdi Shaqiri, do mbahet të premten e 3 qershorit, duke filluar nga ora 10:00 në objektin në veri të Gjykatës Themelore të Mitrovicës.
Gani Geci akuzohet se më 4 gusht 2014 ka vrarë Ruzhdi Shaqirin në kafenenë “N’Qosh” në Skenderaj.

Temat
LajmeVend

Të afërta