Thellohen marrëdhëniet Kosovë-Tajlandë

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Petrit Selimi, ka pritur sot Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Tailandës, Ëattana Kunëongse dhe Katesuda Thongna Kate, përgjegjëse për deskun e Kosovës.

Ministri Selimi dhe diplomatët nga Tajlanda janë pajtuar për nënshkrimin e marrëveshjeve të para bilaterale në mes dy shteteve, përfshirë heqjen e dyanshme të vizave për vizita zyrtare, themelimin e komisionit bilateral për bashkëpunim ekonomik si dhe për hapjen e mundshme të Ambasadës së Kosovës në Bangkok.

Duke iu uruar mirëseardhje në konferencën ndërfetare Interfaith Kosovo, ministri Selimi i njoftoi ata për përparimet që ka bërë Republika e Kosovës në sistemin multilateral ndërkombëtar, në raport me Bashkimin Evropian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e MPJ-së nga Tajlanda, shprehën kënaqësinë për ftesën për pjesëmarrje në Konferencën Ndërfetare dhe për vizitën e tyre të parë në Kosovë.

Me këtë rast ata janë shprehur të bindur se Kosova do të vazhdojë të gëzojë përkrahjen e Tajlandës në rrugën e saj të shtet ndërtimit. Bashkëbiseduesit u pajtuan për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale në nivele të tjera më cilësore dhe u zotuan për punë të përbashkët në avancimin e bashkëpunimit mes dy shteteve, me fokus në rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

Temat
LajmeVend

Të afërta