Rama “dorëzon” Rroshin: Respektojmë ligjin

“Gjithkush që ka një dënim gjykate me heqje lirie, nuk e ka dot mbështetjen e Partisë Socialiste për të kandiduar për çfarëdoqoftë apo qëndruar në një detyrë publike që ka. Fakti në këtë rast që Elvis Rroshi nuk e ka vuajtur asnjë ditë dënimin sepse ka qenë në moshë të mitur, nuk mund të ndryshojë gjë”.

Kështu shkruan ndër të tjera në reagimin e parë pas dorëheqjes së Elvis Rroshit, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Kur e kemi zgjedhur Elvis Rroshin si kandidat për Kavajën, kemi marrë si për të gjithë dëshminë e penalitetit, e cila ka rezultuar e bardhë”, thotë ai.

Kryeministri shton se rikandidimin e Rroshit e kanë mbështetur duke sqaruar të gjitha akuzat e bëra ndaj tij dhe asnjëra nuk ka qenë e provuar, deri më sot nga institucionet e drejtësisë, jashtë dhe brenda vendit.

“Por fatkeqësisht sot, një verifikim i thelluar ka nxjerrë në dritë një fakt deri tani krejt të panjohur dhe të papërfolur ndonjëherë për Elvis Rroshin, për të cilin nuk është lënë gënjeshtër pa treguar.

Elvis Rroshi është dënuar në moshë të mitur në Itali nga gjykata e të miturve! Jam i keqardhur, por aspak i lëkundur në bindjen time se kur hyn në mes një problem me drejtësinë, vendimmarrja s’ka si të ketë më asnjë ngjyrë tjetër përveçse bardhezi”, shkruan ai në reagimin e shpërndarë nga Kryeministria.
Rama akuzon opozitën se po i bën bisht ligjit të dekriminalizimit.

“Ndryshe nga partia përballë që tjetër thotë e tjetër bën me papastërtitë e hatashme që ka në grupin e saj parlamentar, deri edhe duke justifikuar shkeljen haptazi të ligjit të “dekriminalizimit” nga një deputet i saj, në familjen tonë politike nuk ka llafe përballë fakteve të provuara. Kush gjendet në shkelje të kësaj linje as nuk mund ta marrë, as nuk mund ta mbajë një detyrë me mbështetjen tonë”, thotë ai.

Dorëheqja e Rroshit, vërteton edhe një fakt tjetër, sipas Ramës.

“Kur një fakt i provuar nxjerr në pah një problem që i takon drejtësisë, pushteti ynë nuk futet kurrë mes drejtësisë dhe cilitdo ndër ne”, thotë ai.

Në fund, Kryeministri thotë se pavarësisht largimit të Rroshit, mbështetja e Qeverisë për projektin e Rilindjes Urbane për Kavajën do të vazhdojë./Top Channel/

Temat
LajmeRajon

Të afërta