Muhaxheri pajtohet me PDK-në, ata ia miratojnë buxhetin

Në seancë të jashtëzakonshme Kuvendi Komunal i Pejës ka miratuar rishikimin e buxhetit.

Në votim morën pjesë edhe dy drejtorët nga radhët e PDK-së, të cilët i kishte shkarkuar kryetari Gazmend Muhaxheri.

Ky i fundit ka revokuar vendimin lidhur me dy drejtorët.

Kuvendi Komunal i Pejës ka miratuar në seancë të jashtëzakonshme rishikimin e buxhetit. Në këtë seancë ishin të pranishëm edhe dy drejtorët komunalë nga radhët e PDK-së, të cilët ditë më parë i shkarkoi kryetari Gazmend Muhaxheri.

I pari i Pejës ka revokuar vendimin e tij dhe dy drejtorët do të kthehen në postet e tyre.
Kryetari Muhaxheri tha se asamblistët sot votuan në interes të qytetarëve dhe se me rishikimin e buxhetit do të ndërtohen çerdhe e do të asfaltohen rrugë.

Për atë që ndodhi me partnerin e koalicionit javë me parë, Muhaxheri tha se PDK-së i kishte mbetur hatri, kurse tani ata kanë reflektuar në interes të tyre dhe qytetarëve të Pejës.

“Po besoj që ajo ka qenë një hatër-mbetje e vogël e tyre, kanë reflektuar se është edhe interes i tyre edhe i qytetarëve të Komunës së Pejës që të realizohen këto projekte sivjet. Unë besoj që Komuna e Pejës këtë vit do të ketë investimin më të madh të bërë ndonjëherë në Komunë të Pejës. Do jetë vit i kthesës së madhe”, tha Muhaxheri.

Kurse, shefi i asamblistëve të PDK-së, Muhamet Haliti, pas seancës theksoi se dy drejtorët e PDK-së janë kthyer sërish në postet e tyre pasi është revokuar vendimi i kryetarit Muhaxheri.

Edhe Haliti theksoi për partnerin e koalicionit se kanë bërë reagime emocionale. Megjithatë, ai theksoi së PDK-ja ka vendosur ta votojë rishqyrtimin e buxhetit. “Kemi ardhur në përfundim që duhet të miratohet rishikimi i buxhetit dhe arsyeshmëria e vetme për të mirën e qytetarëve kjo ka qenë. Kanë qenë konsultime të cilat janë bërë mes dy kryetarëve të degëve, Xhavit Halitit dhe Gazmend Muhaxherit.

Ata janë dakorduar që t’i kthejnë drejtorët. Ndoshta ka qenë një reagim emocional pak i kryetarit”, u shpreh Haliti. Ndërsa, kreu i opozitës në Pejë, Naim Sahiti, kryetar i degës së AAK-së dhe këshilltar komunal, kritikoi dy subjektet politike për, siç tha ai, “spektaklin” e krijuar vetëm për interesa personale.

Sahiti tha se nga ajo çfarë ka ngjarë i vjen turp që është pjesë e kësaj asambleje.
“Kjo është pasqyra më e mirë e asaj qysh është shteti i kapur. Arsyet janë sepse ministri i Financave që të kalojë rishikimin e buxhetit Komuna e Pejës e ka shtyrë afatin të cilin e ka pasur deri me 25 maj të dorëzohen tek organizatat buxhetore të gjitha rishikimet. Pse këshilltaret komunalë ndërrojnë mendim brenda dhjetë ditëve, sigurisht të njëjtit janë, nuk ka ndërruar kurgjo në temë as materie” , tha Sahiti
“Krejt ky rishikim dhe krejt këto zhurma dhe prishje koalicioni dhe kjo hallakamë dyjavore që e ka bërë Komuna e Pejës, pozita LDK-PDK, në fund del që bëhet për një tender të madh që është shtrati i Lumbardhit”, përfundoi kryetari i AAK-së në Pejë.

KALLXO.com ka raportuar se si dy javë më parë koalicioni qeverisës LDK-PDK në Pejë ishte para prishjes. Dy subjektet kishin shkuar edhe më larg kur PDK njëherë nuk votoi rishikimin e buxhetit, e në anën tjetër Gazmend Muhaxheri i tha PDK-së që “s’keni çka lypni me në qeverisje”./kallxo.com

Temat
LajmeVend

Të afërta