Ja pse parcela për Ambasadën e Shqipërisë u bë “mollë sherri” në Komunën e Prishtinës

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë bojkotuar seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës, mbledhje kjo e thirrur nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kjo ka ndodhur pasi në rend dite ishin dy pika për diskutim: Dhënia e pëlqimit për ndërrimin e destinimit të parcelës në kuadër të Planit rregullues “Lakërishta” për ndërtimin e objektit të ambasadës së Shqipërisë dhe dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës së Prishtinës në shfrytëzim Ambasadës së Republikës së Shqipërisë.

Sipas partive opozitare LDK dhe PDK, kjo gjë është tendencioze dhe e paligjshme nga ana e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Lirak Çelaj, në një prononcim për Telegrafin tha se Shqipëria do duhej të kishte një vend të vetin për të ndërtuar ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, por jo në një vend me telashe.

“Natyrisht, ne nuk dalim kundër Ambasadës së Shqipërisë, që me i nda truall. Duhet të ketë një diskutim për këtë gjë që asnjërën palë Komuna e Prishtinës mos ta qes në pozitë të keqe. Jemi për ta ndërtuar Ambasadën e Shqipërisë, por jo në një vend me telashe dhe ku do të ketë gjithmonë fjalë, por në një vend ku do të ndihen edhe ata komod”, ka thënë ai për Telegrafin.

Sipas tij, Shpend Ahmeti me qëllim i ka zgjedhur këto parcela për t’i sfiduar politikisht.

“Ai ka mundur të konsultohet me shefat e grupeve për këtë gjë. Është hera e dytë që Shpendi po na sfidon me mbledhje të jashtëzakonshme. Ka mundur të hyjë në mbledhje të rregullt të rendit të ditës. Ai me qëllim ka zgjedhur parcelat të cilat kanë probleme dhe e bën këtë të na sfidojë politikisht. Edhe pse në këtë rast është për një subjekt tjetër politik, nuk jemi ne ata që ta fusim Ambasadën e Shqipërisë në konflikt ndërmjet vete me diçka të tillë. Kjo duhet me marrëveshje të zgjidhet, dhe ai e përdor rastin që me na etiketiku”, shtoi tutje Çelaj.

Në një reagim në Facebook, Shpend Ahmeti ka thënë se ‘PDK ka bojkotuar seancën duke dalë hapur kundër Shqipërisë për interesa të LDK-së’.

Lidhur me këtë, i pyetur nga Telegrafi, Çelaj tha se “Shpend Ahmeti dhe Shqipëria janë larg”.

“Veç ta pyesësh kur ka shkuar në Shqipëri për herë të parë, është boll që me na etiketu ai neve sa e duam Shqipërinë”.

Ai ka shtuar se vërejtja e tyre është parimore.

“Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme për të bërë mbledhje të jashtëzakonshme”.

Gjithashtu edhe LDK ka reaguar me një njoftim për media ku thuhet se thirrja e mbledhjes së jashtëzakonshme është tendencioze dhe e paligjshme.

“Thirrja e mbledhjes së jashtëzakonshme e 31 majit 2016, me dy pika të rendit të ditës, që kanë të bëjnë me dhënien e pëlqimit për ndërrimin e destinimit të parcelës në kuadër të Planit rregullues “Lakërishta” për ndërtimin e objektit të ambasadës së Shqipërisë dhe me dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës së Prishtinës në shfrytëzim Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, është tendencioze dhe e paligjshme”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Ndryshe, për shkak të bojkotimit nga partitë opozitare, LDK dhe PDK në mbledhjen e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës, nuk ka pasur kuorum për të vazhduar vazhdimin e mbledhjes.

Temat
LajmeVend

Të afërta