Albulena Haxhiu: Opozita mund të bashkohet, nëse AAK e NISMA i binden VV-së (Video)

Dërgimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi në Kuvend, do ta risjell edhe Lëvizjen Vetëvendosje në sallën e legjislativit. Kështu është shprehur deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, në emisionin “Kontakt”, me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel.

Ajo ka thënë se gazi lotsjellës i përdorur “për t’i kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme të cilat i ka nënshkruar kjo qeveri, ia ka hapur sytë shumë njerëzve”.

“Nëse veprimet tona kanë qenë radikale, i kemi vuajtur me burg. Organet e drejtësisë, të ashpra ndaj opozitës, kanë treguar që janë instrument i qeverisë”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se më shumë se gjysma e deputetëve të opozitës kanë dosje në prokurori.

Haxhiu ka folur edhe për mundësinë e ribashkimit të opozitës.

“Ne në vazhdimësi kemi kërkuar që të jemi bashkë, por AAK e NISMA duhet ta pranojnë alternativën që ne e kemi propozuar”, ka thënë ajo.

Duke folur për ndarjen e opozitës, Haxhiu ka thënë se “ka qenë e palogjikshme që thuhet nga AAK e NISMA se jemi kundër marrëveshjeve, por nuk kemi vija të kuqe me PDK-në”.

“Ne Vetëvendosje në asnjë mënyrë nuk do të kemi koalicion me PDK-në as para as pas zgjedhjeve… PDK e ka vijë të kuqe”, ka thënë Haxhiu.

Temat
LajmeVend

Të afërta