Barrikada të largohet deri më 15 qershor

Një protestë e rreth 30 aktivistëve të Iniciativës Qytetare për Veprim në Mitrovicë, që është mbajtur të shtunën te ura, ia ka tërhequr vërejtjen Bashkimit Evropian (BE), por edhe institucioneve të Kosovës, se premtimin që deri më 15 qershor ta largojnë barrikadën dhe ta rivitalizojnë urën, duhet ta mbajnë, ashtu siç parashikohet me marrëveshjen e Brukselit.

Përndryshe, siç kanë thënë protestuesit, nuk do të jetë mirë për askënd. Ata kanë kërkuar që Bashkimi Evropian të bëjë presion për largimin e kësaj barrikade dhe barrikadave tjera në qytetin e Mitrovicës.

Ata gjithashtu për vonesa kanë fajësuar institucionet qendrore, por edhe qeverisjen lokale, për mosveprim.

Në anën tjetër, kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, duket t’i ketë mbetur hatri në aktivistët e Iniciativës Qytetare për Veprim dhe ai kishte bërë thirrje te qytetarët që të mos i bashkëngjiten protestës. Protestën e iniciativës qytetare të themeluar tani vonë, Bahtiri e ka kundërshtuar ashpër dhe e ka quajtur atë të dëmshme për Marrëveshjen e Brukselit dhe zbatimin e saj në terren.

I njohur për shumë premtime rreth urës, sidomos për deklarata se barrikadën do ta largojë vetëm 6 muaj pasi ta merrte qeverisjen me Mitrovicën e jugut, e të cilën nuk e kishte përmbushur kurrë, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, edhe një herë ka dalë me zotimin se barrikada e “gjelbër” mbi urën kryesore të Ibrit do të hiqet, tani në fund të qershorit.

“Protesta është e dëmshme, sepse dëmton procesin e rivitalizimit të urës. Me protesta nuk mund të arrihet asgjë, sepse BE-ja është garantuese e zbatimit të Marrëveshjes. Vetëm me dialog mund të zbatohet Marrëveshja, mund të hapet ura dhe të krijohen kushte për lëvizjen e lirë të qytetarëve”, ka thënë Bahtiri, pas paralajmërimit për protestë, ndërkohë që organizatorët i ka cilësuar “si njerëz unanimë dhe të ndikuar nga qarqe të caktuara për të krijuar destabilizimin e Mitrovicës”.

Por pas protestës, kryetari i Mitrovicës ka folur ndryshe. Ai ka falënderuar protestuesit për maturinë që kanë treguar, ndërkohë që i ka ftuar qytetarët për durim dhe mbështetje të vazhdueshme për proceset e rëndësishme të normalizimit të situatës. Ai ka premtuar se do të angazhohet maksimalisht që të zbatohet Marrëveshja për rivitalizimin e urës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Temat
LajmeVend

Të afërta