I njëjti vendim, e njëjta kundërpërgjigjie. Vendimit të Byrosë së Kuvendit për të përjashtuar me 10 ditë ish-kryeministrin Sali Berisha, Partia Demokratike iu përgjigj me bojkot 10-ditor.
Berisha u përjashtua me 10 ditë për deklaratat e bëra në seancën e së enjtes, kur akuzoi kryeministrin Edi Rama se “ka ndryshuar emrin për shkak të hetimeve spanjolle”.
Vendimi është marrë këtë të shtunë nga mbledhja e Grupit Parlamentar, kryesuar nga Edi Paloka.
“Vendimin besoj se e morët vesh. Është bojkot për të njëjtin afat për të gjitha aktivitetet e Parlamentit. Pra për komisionet dhe seancën plenare sepse në një Parlament ku nderohen kriminelët dhe trafikantët e drogës dhe prostitutave dhe dënonhen ata që denoncojnë krimin, ky duket akti më i lehtë që mund të ndërmarrim”, tha pas mbledhjes jashtë radhe të grupit parlamentar, Edi Paloka.
Opozita e lexon vendimin e Byrosë së Kuvendit si përpjekje për t’i mbyllur gojën.
“Duket qartazi që kjo maxhorancë ka vendosur ose shpreson t’i mbyllë gojën opozitës. E ka gabim. Vetëm gojën s’mund të na e mbyllë kurrë edhe sikur të dalim fare nga ai Parlament. Ne tashmë e kemi filluar punën tonë si deputetë me Parlamentin e vertetë, qytetarët e këtij vendi”, shtoi Paloka.
Këto zhvillime, përveçse do të bllokojnë punën në Komisionin e Reformës në Drejtësi, por vendosin në pikëpyetje edhe takimin Rama-Basha, i parashikuar për javën tjetër.
Ndërkohë, para këtij vendimi ka reaguar përmes rrjeteve sociale, Lulzim Basha. Ai e lexon si shenjë krize të maxhorancës vendimin për të përjashtuar me 10 ditë Sali Berishën.
“Kjo krizë ka arritur në nivelin ku nuk përballojnë më debat, nuk kanë argumenta, kapen në flagrancë nga faktet e dëshmitë që provojnë krimin dhe korrupsionin e tyre dhe ju ka mbetur të tregojnë vetëm kartonat në byro”, shkroi Basha.
Më tej, kreu i PD-së theksoi se “njëkohësisht, kjo është edhe një kujtesë e pështirë e dy standarteve të kësaj mazhorance të kalbur në krime, vese dhe korrupsion”.
“Nga njëra anë nderohet vulgu i vulgut, Sadri Abazi, që i thotë kundërshtarit “të pres veshin”, nga ana tjetër dënohet denoncuesi i së keqes, i aferave tronditëse, Sali Berisha. Kjo nuk bëhet për t’i mbyllur gojën opozitës sepse kanë dështuar në mënyrë të përsëritur me këto metoda byroiste. Kjo është manovër e Edi Ramës dhe Ilir Metës për t’i mbyllur derën opozitës. Për t’i mbyllur derën në Parlament, në tryezat ku ajo duhet të jetë e pranishme. Për t’i mbyllur derën në reformën e drejtësisë, në reformën zgjedhore”, thotë Basha.
Sipas kreut të PD-së “duke lënë opozitën dhe demokratët jashtë një salle, jashtë një tryeze, Edi Rama dhe Ilir Meta vetëm sa thellojnë izolimin dhe përshpejtojnë rënien e tyre të pashmangshme”.