Deputete e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, po i akuzon për shkelje të privatësisë QKUK-në e Policinë e Kosovës, pas publikimit në medie të rëntgenit rreth gazit lotsjellës, shkruan sot Koha Ditore.
Këtë të mërkure ajo i është drejtuar Prokurorisë Themelore të Prishtinës për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje, që ka pasuar me, siç ka thënë ajo, shpifjet kundër saj në opinion nga “Indeksonline” dhe “Gazeta Express”. Këto dy portale patën publikuar rëntgenin, duke shtuar se gazin lotsjellës Haxhiu e kishte pasur në organet gjenitale. Të njëjtat janë paditur muaj më parë për shpifje.
Në kopjen e kallëzimit penal, të cilën e ka siguruar edhe “Koha Ditore”, deputetja pretendon se ekziston dyshimi i bazuar ndaj zyrtarëve kompetentë të QKUK-së e të PK-së se kanë kryer këto vepra penale: zbulimi i paautorizuar i informacionit konfidencial; zbulimi i fshehtësisë zyrtare, si dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare.