Geci: Shkova në Gjermani të mos përfundoj si Ahmet Krasniqi

Në gjykimin ku akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, Gani Geci tha se vazhdimisht ka mbajtur armë për sigurinë e tij.

Geci sqaroi në gjykatë se në periudhën 2001-2013 nuk kishte vazhdimisht leje për mbajtje të armës, ashtu siç thuhet në aktakuzë, pasi kjo leje herë i ishte marrë e herë i ishte kthyer.

“Deshta ta sqaroj para trupit gjykues se kur mu ka marrë licenca unë për sigurinë time kam mbajtë armë pa leje, por në të njëjtën kohë nuk kam mbajtë armë me leje dhe pa leje dhe pavarësisht kësaj që kam pasë armë me leje, kam shkuar në gjykim për armë pa leje dhe është detyrua Ministria e Punëve të Brendshme me ma rikthyer armën me leje,” tha Geci.

Geci në vitin 2006 pasi i ishte marrë leja për armë, ishte dënuar me 350 euro për armëmbajtje pa leje.

“Kur ma kanë marrë armën me leje ma kanë flug për një muaj ditë policinë e Republikës së Kosovës për me më kontrollua dhe sa herë me kontrollojshin me thoshin a ki armë dhe unë kom thonë që kom dhe me vonë e kam pa që jam rrezik dhe kam shkuar në Gjermani”, sqaroi Geci.

Geci tha se shkoi në Gjermani që të mos përfundonte si kolonel Ahmet Krasniqi, ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë në ekzil të Bujar Bukoshit.

“Policia e Shqipërisë ia ka çarmatosë rojet ministrit të Mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqit dy ditë para së ai të vritej”, deklaroi Geci.

Fjala përfundimtare e prokurorisë ishte paraparë të jepej sot, por kryetari i trupit gjykues Vidar Stensland njoftoi se ajo është shtyrë për të mërkurën.

Gjyqtari Stensland paralajmëroi mbrojtjen e Gecit që të përgatitet për fjalët përfundimtare të enjten.

Të mërkurën dëshminë për vrasjen e bashkëshortit do ta japë gruaja e Ruzhdi Shaqirit.

Shaqiri u vra më 4 gusht 2014 në qendër të Skenderajt, ndërsa nga ajo ditë deri më 22 gusht të të njëjtit vit kur iu dorëzua EULEX-it, Gani Geci konsiderohej i arratisur.

Geci qëndroi në paraburgim nga dita kur iu dorëzua EULEX-it deri më 21 nëntor 2014, pastaj nga ajo datë e deri tash masa iu zbut në arrest shtëpiak.

Gjykimi ndaj Gecit filloi më 14 janar të vitit të kaluar dhe në fillim kur rastin e tij e kishte prokurorja Vahide Badivuku, ai akuzohej për vrasje në tronditje të thellë mendore dhe armëmbajtje pa leje, por kur gjykimin e tij e mori EULEX-i, Geci ngarkohet për vrasje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës./KALLXO.com/

Temat
LajmeVend

Të afërta