PDK tërhiqet nga koalicioni me AAK-në në Obiliq

Partia Demokratike e Kosovës është tërhequr nga koalicioni i lidhur me AAK-në në Obiliq, e cila është parti fituese e zgjedhjeve dhe udhëheq me këtë komunë.

Veriu.info mëson se dje kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili vjen nga AAK-ja, ka shkarkuar drejtorin e Drejtorisë për Inspeksion që ishte nga radhët e PDK-së, Avdi Mjekiqi, gjë e cila nuk është pranuar nga grupi i asamblistëve të PDK-së, të cilët e kanë lëshuar seancën e Kuvendit të Komunës dhe kanë deklaruar tërheqjen nga koalicioni.

Këtë e ka konfirmuar edhe Lulzim Sadiku, shef i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin e Komunës së Obiliqit, i cili në një prononcim për Veriu.info ka treguar se kjo parti tash është duke e mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues të degës dhe brenda dy orës do të dalë me deklaratë zyrtare për prishjen e koalicionit.

“Ne dje në mbledhje të Kuvendit Komunal kemi kuptuar se kryetari i komunës Xhafer Gashi, e ka shkarkuar drejtorin e Drejtorisë për Inspeksion dhe menjëherë i kemi kërkuar sqarime pse e ka bërë këtë, mirëpo ai ka thënë se kjo është kompetencë e kryetarit dhe nuk ka dhënë kurrëfarë sqarimi. Më vonë e kemi kuptuar, se ai ka lidhur koalicion me Lëvizjen për Bashkim dhe drejtorin e ri të Inspeksionit e ka emëruar nga ky subjekt politik”, ka thënë Sadiku i PDK-së për Veriu.info.

Shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së bënë të ditur se mosdhënia e arsyetimit nga kryetar Xhafer Gashi, ka rezultuar me largimin e gjithë asamblistëve të PDK-së nga seanca e Kuvendit Komunal. /Veriu.info/

Temat
LajmeVend

Të afërta