Krasniqi – Thaçit, Mustafës dhe Veselit: E keni të drejtën të transformoheni, por jo pa u kërkuar falje të gjallëve dhe të vdekurve

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Jakup Krasniqi përmes një njoftimi dërguar mediave ka theksuar se Thaçi, Mustafa dhe Veseli u kanë borxh një shpjegim dhe kërkim falje të gjithë shqiptarëve të Kosovës, LDK-së, Ibrahim Rugovës dhe UÇK-së.

Ai gjithashtu përmes këtij shkrimi ka parashtruar pyetje për krerët PDK-së se a ndjejnë përgjegjësin për ti kërkuar falje ushtarëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve e veteranëve të UÇK-së që sipas tij i kanë shkaktuar shumë të bëma, transmeton Indeksonline.

Ky është shkrimi i plotë nga Krasniqi:

KUR GËNJYET, DJE APO SOT?!

Nga Jakup Krasniqi

Shpjegimin dhe kërkim faljen ua keni borxh shqiptarëve të Kosovës, LDK-së e Ibrahim Rugovës, UCK-së dhe individëve që i linçuat si LDK-ista dhe rugovista, me çka dobësuat jo vetëm luftën çlirimtare, por edhe pas luftën, duke mos e krijuar Qeverinë e Përbashkët të Kosovës edhe pse kishte një vullnet ndërkombëtar për ta pranuar atë qeveri.

I

Është e drejtë e secilit njeri të ndryshojë mendim apo të transformohet, ndonëse tjetërsimi duhet të ketë arsye të forta dhe kërkon shpjegime të shumta, ashtu si duhet të shpjegojnë shumë para opinionit, drejtuesit binjak të PDK-së (Thaçi – Veseli).

Kur na gënjyet: në vitet 1997/98 e 99 e deri në vitet 2000/ 2006 apo pas vitit 2007 e deri më sot?

Para, gjatë e disa vite pas Luftës Çlirimtare, Ju dy, jo vetëm keni qenë kundërshtarët më të mëdhenj të Rugovës, por çdo përpjekje për t’i zbutur raportet me Rugovën dhe LDK-në e keni quajtur tradhti. Dhe jo vetëm kaq, por Ju keni qenë penguesit kryesor që të arrihej çfarëdo marrëveshje në mes Ibrahim Rugovës, Qeverisë në egzil të Bukoshit në një anë dhe LPK-së e UCK-së në anën tjetër.

Me politikën tuaj kundërshtuese ndaj çfarëdo përpjekjeje për t’i bashkuar shqiptarët në luftën çlirimtare, për t’i bashkuar mjetet financiare të Fondit të 3% me Fondin “Vendlindja Thërret”, Ju keni dobësuar në çdo segment Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e popullit shqiptar të Kosovës për liri.

Pengesa kryesore për mos bashkimin e popullit e të politikës në luftën çlirimtare ishit Ju dy. Tani nuk kemi as një dyshim, atë e paskeni bërë, për të ruajtur pushtetin tuaj mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. E them ketë me bindje se edhe përkuljen që e bëtë të varri i Rugovës, njëri pas tjetrit nuk ka asnjë fije sinqeriteti e pendimi, e bëni për pushtetin tuaj personal e jo pse ju han malli për të ndjerin Rugova apo sot ndërtimin e shtetit të së drejtës, shtetin me ekonomi të zhvilluar, shtetin e dijes apo të drejtësisë sociale.

Interesi i kombit për bashkim ishte, para, gjatë e në vitet e para të pas luftës çlirimtare për të qenë bashkë, nderuar e respektuar njëri – tjetrin. Pse nuk e bëtë asnjë përpjekje të vetme për atë bashkim kur ishte domosdoshmëria, por e bëtë vetëm pas vdekjes së tij?

II

Duke u nisur nga këto fakte të pa kontestueshme, Ju, Hashim e Kadri e keni për obligim që t’i kërkoni falje shqiptarëve të Kosovës, të cilët kaluan një luftë tepër të vështirë! Një Golgotë të vërtetë! A e ndjeni sot ndonjë përgjegjësi?
T’i kërkoni falje çdo ushtari të UCK-së, të cilët në shumë raste kishin mungesë buke, sesa për armë mos të flasim, ato i kishim gjithnjë mungesë!

T’u kërkoni falje gjithë familjeve të Dëshmorëve e të martirëve dhe çdo njeriu që e akuzuat për LDK-izëm !

T’i kërkoni falje çdo invalidi e veterani të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

T’u kërkoni falje edhe shokëve tuaj që besuan në fjalët tuaja e ju më vonë i diferencuat, mbase edhe më shumë se kaq!

Dhe jo vetëm t’ju kërkonit falje, por edhe t’ia shpjegoni opinionit të gjitha arsyet, pse ia betë këto dëme të mëdha popullit shqiptar të Kosovës atëherë! Madje çka ju shtynë sot t’i bëni dëme të mëdha sovranitetit të shtetit?

Me arrogancën tuaj, për interesat tuaja meskine, për pushtetin tuaj krejt personal, Ju popullit tonë i keni shkaktuar dëme të pa riparueshme!

III

Pak muaj pas luftës, e bëtë të dështojë përpjekjen e madhe të Ambasadorit të ndjerë Hollbruk dhe Shefi i UNMIK-ut Kushner, të cilët kërkuan nga liderët politik të Kosovës që ta formonin qeverinë gjithëpërfshirëse të cilën ata u zotuan se do ta njihnin. Sërish, kundërshtarët më të mëdhenj të kësaj ishit Ju dy, drejtuesit e PDK-së, njëri në “diell” e tjetri në “hije”! Edhe ky veprim ishte i dëmshëm për Kosovën e lirë. E keni për obligim t’ia tregoni qytetarëve të gjitha arsyet, pse e bëtë ketë?

Në kohën e qeverisë së dalë nga zgjedhjet e vitit 2001, pas formimit të qeverisë, kur Kryeministri Bajram Rexhepi i shkoi Rugovës në Rezidencën e tij, ju nuk pat lënë gjë pa i thënë.

Te cilido anëtarë i Kryesisë së PDK-së që do të merrte guximin të shkonte të “Presidenti historik”, që tani po e quani, do ta anatemonit dhe në heshtje do ta diferenconit. Atëherë kështu ishte e tani, çka ndryshoj?

Përfundimi

Kur ishte interesi më i madh që të “vlerësohej” puna e Rugovës dhe e LDK-së, atëherë apo sot?

Si ta quajmë gjestin tuaj të “ri”? Hipokrizi apo diç më shumë se kaq?!

Ju, nuk vepruat kështu atëherë kur ishte interesi ynë nacional! Çfarë ndryshime u bënë, që tani të tjetërsoheni apo ju tjetërsoi dëshira e juaj e sëmurë për pushtet në shtetin e degraduar skajshmërisht, po nga Ju dhe kundërshtari i juaj i djeshëm e aleati i sotshëm, Isa Mustafa!

E keni të drejtën edhe të transformoheni, por jo pa u kërkuar falje të gjallëve dhe të vdekurve që nga viti 1997/98 e krejt deri më sot!

Të jemi korrekt, nuk po themi se pala tjetër ishin engjëj, edhe ata mbajnë përgjegjësi të shumta dhe që dihen botërisht, por ju atëherë e përdoret forcën për të përjashtuar një pjesë të madhe të kombit?! Ndërsa sot u gjunjëzuat disa vjet pas vdekjes se Rugovës për t’i thënë opinionit se ju “engjëjt” e sotshëm, të “tillë” ishit edhe dje?! Por dikush tjetër ua paska pas prishur “ndershmërinë” tuaj?!!!

Kjo është arsyeja kryesore që sot kërkohet nga ju që të shpjegoheni para qytetarëve dhe bashkëpunëtorëve tuaj të luftës, të Lirisë e të Pavarësisë!

Vetëm kështu, gjunjëzimi i juaj merr kuptimin e pendesës historike të “ndershmërisë”?!

Temat
LajmeVend

Të afërta