Denoncimi i punonjës së shkarkuar nga puna që zbuloi mashtrimin prej milionash të ish-kryebashkiakut Hasan Halili

Esma Muçaj, e punësuar si pastruese publike prej 22 vjetësh në Bashkinë e Kukësit, nuk ka asnjë lidhje me klubin e futbollit të qytetit.

Madje, asnjë ndeshje nuk ka parë në jetën e saj të varfër. Por për këtë lidhje ka menduar, ish-kryetari i Bashkisë së qytetit, Hasan Halili, i cili, nëpërmjet manovrare financiare, ka sponsorizuar sportin me paratë e rrogës së saj dhe të mbi 300 kolegëve të tjerë. Halili tashmë është shpallur person në kërkim, pasi Prokuroria e Kukësit e akuzon për shpërdorimin e detyrës me fondet publike.

Esmaja është larguar nga puna në nëntor 2015, pasi vendi i saj i punës u shkurtua. Në të drejtën e saj ligjore, ajo kërkon të paguhet me asistencë sociale. Në moshën 57-vjeçare ajo e ka të pamundur të sigurojë një punë tjetër dhe për këtë arsye mendon të marrë një pjesë nga kontributet që ka arkëtuar në administratën tatimore. Kërkesa e saj ka marrë një përgjigje absurde. Nuk mund të përfitojë, pasi nuk ka kontribuuar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore gjatë 4 viteve të fundit. Esmaja, e pamësuar me shakatë administrative, kërkon të drejtën e saj tek kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, i zgjedhur vetëm pak muaj më parë në këtë detyrë, në qershor 2015. Pastruesja Esma ishte një ndër të paktën 10 ish-punonjës të Bashkisë së qytetit verior që prezantonte këtë shqetësim në administratën e re lokale.

Bashkia e Kukësit, në periudhën tetor-nëntor 2015 ushtron audit të brendshëm mbi mënyrën e shpenzimit të fondeve publike nga ish-paraardhësi i tij, Hasan Halili dhe shkeljet e konstatuara, të shumta në numër, i referon në Prokurorinë e qytetit.

Gjatë veprimeve hetimore, prokurorët arritën të evidentonin shkeljet e kryera nga të paktën 4 ish-zyrtarë të lartë lokalë të Kukësit, me një dëm që llogaritet në rreth 45 milionë lekë të reja.

Të martën e datës 24.05.2016, gjykata e Kukësit vendosi për arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë, si edhe tre ish-drejtuesve të tjerë në këtë institucion dhe në administratën tatimore, pasi dyshohet se kanë devijuar fondet e sigurimeve shoqërore të punonjësve, në drejtim të sponsorizimit të ekipit të futbollit të Kukësit.

“Boldnews.al” ka mësuar disa prej shkeljeve të konstatuara nga Prokuroria e Kukësit, në bazë të të cilave ka urdhëruar arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë, Hasan Halili. Ky i fundit, pas dy mandateve si përfaqësues i Partisë Demokratike, në zgjedhjet lokale të vitit 2015 ndryshoi ngjyrë, duke iu bashkuar aleancës së majtë. Në garën elektorale ai u shpall humbës dhe prej aty nisën problemet e tij ligjore.

Prokuroria e Kukësit ka vënë në dispozicion, me kërkesë të “Boldnews.al” rezultatet e saj në mënyrë kronologjike, mbi shkeljet e konstatuara gjatë hetimit disa mujor.

– Sipas dokumentacionit sekuestruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, rezulton se më datë 08.09.2011është regjistruar si person i tatueshëm “FUTBOLL KLUB KUKESI –Sha”, me ortak R. G., F. H., S. Gj. dhe Bashkia Kukës .Aktualisht aksionerë të kësaj shoqërie rezulton shtetasi L. Gj. me 87.5 % të aksioneve dhe 12.5 % Bashkia Kukës.

– Nga dokumentacioni i administruar në Degën e Thesarit, rezulton se nga Bashkia Kukës janë kryer sponsorizime për llogari të klubit të futbollit të qytetit në 4 vite radhazi, 2011-2015. Më konkretisht, Bashkia Kukës ka kaluar në llogarinë e klubit sportiv 2 herë 5 milionë lekë për vitet 2011 dhe 2012. Në vitin 2013, shuma e sponsorizimit është rritur me trefish-15 milionë lekë. Në vitin 2014, Bashkia e Kukësit ka vijuar sjelljen bujare ndaj sportit, duke i dhuruar 10 milionë lekë. Dhe, vetëm pak ditë para se të largohej nga zyra e Bashkisë, në vitin 2015, ish-kryetari ka sponsorizuar edhe 6 milionë lekë të tjera.

Paralelisht me këto sponsorizime, Bashkia Kukës shtonte borxhin ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për shkak se nuk kryente pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për mbi 300 punonjës të strukturave në varësi të institucionit.

Hetimi i Prokurorisë së Kukësit ka konstatuar se shuma e parave që bashkia ka sponsorizuar për ekipin e futbollit të qytetit, është thuajse e njëjtë me shumat e papaguara për kontributet e punojësve.

Prokurorët kanë krijuar bindjen se paratë e punonjësve kanë shkuar për lojtarët e ekipit, të cilët luajnë në kategorinë superiore të futbollit shqiptar. Kuksianët e duan ekipin e tyre dhe e kanë mbështetur fuqishëm. Por manovrat financiare të ish-kryetarit të Bashkisë, të cilat kanë goditur drejtëpërdrejtë xhepat e më shumë se 300 banorëve të Kukësit, mund të ndërlikojnë raportet e tifozëve me lojtarët e ekipit, të cilët për herë të parë, vetëm para 3 ditësh, fituan një kompeticion të rëndësishëm futbollistik në vend, Kupën e Shqipërisë. /BoldNews

Temat
LajmeRajon

Të afërta