Meta në Luksemburg: Shpresoj ta miratojmë reformën me konsensus

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta mori pjesë në sesionin e dytë të Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të BE-së në Luksemburg

Meta u shpreh para homologëve të tij se hyrja e Shqipërisë në BE do të garantojë të gjitha parametrat e duhura për një shoqëri tërësisht demokratike dhe të zhvilluar. “Duke pasur parasysh këtë, në rastet kur vendet si i yni janë dëshmitarë të lëkundjes së vlerave europiane në mes të shteteve anëtare, e ardhmja nuk duket shumë inkurajuese. Dhe, për fat të keq, këto muajt e fundit duket se gjërat nuk kanë shkuar më mirë për të gjithë hapësirën europiane”, – tha ai.

Duke folur për zhvillimet në Shqipëri, z. Meta tha se perspektiva europiane është vendimtare për forcimin e institucioneve demokratike. Ai tha se “po punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-të, për të reformuar të gjithë sistemin tonë të drejtësisë. Në sajë të Komisionit të Venecias dhe asistencës teknike të misionit të BE-së, Euralius dhe Misionit të SHBA-ve, OPDAT, jemi në fazën përfundimtare të dakordësimit për draftin përfundimtar të së ashtuquajturës ‘Reforma e Drejtësisë’, që shpresojmë se do të miratohet në Parlament në javët e ardhshme, përmes një konsensusi të gjerë mes partive”, – deklaroi Kryetari i Kuvendit gjatë ndërhyrjes së tij në sesionin e dytë të konferencë.

Meta shoqërohej në këtë aktivitet nga Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Arta Dade.

Temat
LajmeRajon

Të afërta