Këta janë emrat e rinj të Qeverisë Mustafa

Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri i vendit, tashmë i ka tre emrat e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), për emërimin e ministrave të rinj.

Emrat të cilët i janë propozuar Qeverisë nga PDK-ja, janë Hajredin Kuçi për zëvendëskryeministër, Enver Hoxhaj i propozuar për pozitën e ministrit të Punëve të jashtme dhe Gani Koci për ministër të Drejtësisë.

Gani Koci ka konfirmuar për KosovaPress se këto tri propozime tashmë janë dërguar në Qeveri.

“Kryesia e PDK-së në mbledhjen e 13 majit, ka vendosur për t’i propozuar Qeverisë, këta tre emra për ministra dhe zëvendës kryeministër. Ky vendim është diskutuar dhe me 19 maj në kryesinë e PDK-së dhe nuk ka pasur ndryshime. Kështu që propozimet me këta tre emra, të Hajredin Kuçit për zëvendës kryeministër, Enver Hoxhajt për ministër të Jashtëm dhe mua, për ministër të Drejtësisë. Emrat janë dërguar tek kryeministri dhe presim që kjo çështje të procedohet më tej”, ka thënë Koci.

Ndryshimi i emrave në Qeveri është bërë pas marrjes së postit të presidentit nga Hashim Thaçi i cili në Qeverinë Mustafa mbante postin e zëvendëskryeministrit.

Temat
LajmeVend

Të afërta