Premtohet mbështetje për prodhuesit vendor drejt tregut europian

Pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes Për Stabilizim Asociim, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka vizituar kompaninë për prodhimin dhe përpunimin e qumështit “Eurolona”, me pronarin e së cilës kanë diskutuar lidhur me përparësitë që ofron MSA për prodhuesit vendor.

Thaçi, i shoqëruar nga ministri për Bujqësi, Memli Krasniqi dhe ai për Integrime, Bekim Çollaku, u zotuan se do të përkrahin prodhuesit dhe përpunuesit vendor, për tejkalimin e pengesave që kanë drejt konkurrencës në Evropë.
euro-lona-01

Pas vizitës së fermës “Eurolona”, presidenti tha se kjo kompani është me mundësi të jashtëzakonshme për tregun evropian e botëror. “Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, është hapur mundësia shumë e mirë për biznesin vendor, për prodhimin vendor. Natyrisht se me nënshkrimin e MSA-së janë hapur mundësi shumë të mëdha, por kjo përcjellët edhe me sfida në të njëjtën kohë, të rëndësishme, e sfida më e madhe është konkurrenca, por nga ajo që pash në inspektimin në ‘Eurolonë’, shihet se kjo sfidë e konkurrencë s do të tejkalohet sepse cilësia është e standardit evropian”, tha ai.

Ndërsa pronari, Milazim Berisha tha se tani, pas hyrjes në fuqi të MSA-së, duhet investuar për heqjen e pengesave drejtë eksportimin të produkteve vendore në tregjet europiane.

“Biseduam rreth problemeve dhe sfidave që na presin, sidomos tani pas nënshkrimit të MSA-së, ku neve si prodhues, por edhe institucioneve tona, përveç punës së përditshme kemi edhe obligime të tjera dhe përgjegjësi shtesë ku ne duhet të investojmë në eliminimin e pikave kritike dhe barrierave të cilat neve na pengojnë që të eksportojmë produktet tona në tregjet tani të mundësuara në BE-së. Mendoj se bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe prodhuesve vendor duhet të rritet, duke marrë parasysh nevojat të cilat I kemi për eliminim të këtyre barriera ve dhe vizita e sotme është një ndër ato pikat që janë të nevojshme të bëhen në të ardhmen”, tha Berisha.

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi u zotua se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me prodhuesit dhe përpunuesit vendor, në mënyrë që të tejkalohen të gjitha sfidat.

“MSA është një kapitull jashtëzakonisht i rëndësishëm që krijon mundësi shumë të mëdha për ndërmarrësit e Kosovës, veçanërisht për prodhuesit dhe përpunuesit, para së gjithash për sektorin e bujqësisë, dhe ne besojmë që ne do ta shfrytëzojmë këtë mundësi, pa I lënë anash sfidat për të cilat diskutuam sot, dhe që janë sfida që ne do t’i tejkalojmë bashkërisht, duke i ndihmuar prodhuesit dhe përpunuesit tonë që bahskërisht t’i arrijmë standardet e kërkuara për të qenë konkurrent në tregjet evropiane dhe për të pasur një gamë më të gjerë të produkteve në tryezat e konsumatorëve evropian. Ne zotohemi që do të vazhdojmë bashkëpunimin”, tha Krasniqi.

Ndërsa ministri për Integrime, Bekim Çollaku foli për rëndësinë që ka Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila sipas tij, ka hapur rrugën për bizneset vendore.
“Sa i përket mundësisë për eksport, MSA i ka hap dyert por tani varet nga ne, nga institucionet përkatëse, në këtë rast nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, dhe nga laboratorët e specializuar, të cilët duhet të mirren me sigurinë e ushqimit, dhe standardizimin e këtyre produkteve. Mirëpo rruga është e hapur dhe unë jam i sigurt që prodhuesit vendor do t’i shfrytëzojnë këto mundësi që ka krijuar kjo marrëveshje”, tha ai.

Këtë vit, Ministria e Bujqësisë ka ndarë rreth 10 milionë euro mbështetje për prodhuesit dhe përpunuesit primarë në ferma.

Temat
LajmeVend

Të afërta