ISIS kërcënon SHBA-në dhe Evropën për sulme gjatë Ramazanit

Ekstremistët e Shtetit Islamik kanë kërcënuar se do të sulmojnë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara gjatë Muajit të Ramazanit, që këtë vit fillon me 7 qershor.

Tri ditë pas fillimit të Ramazanit, do të fillojë edhe Kampionati Evropian i Futbollit, për çka autoritetet kanë nisur të marrin masa për të parandaluar çdo incident të mundshëm gjatë këtij kampionati.

Lajmi është përcjellë nga një militant i kësaj organizate terroriste përmes një mesazhi në rrjetin social twitter.

Ekstremisti i identifikuar si Abu Muhamadd Al-Adnani, i cili njihet edhe si zëdhënësi i ISIS, shprehet se muaji i Ramazanit do të jetë muaji i sulmeve dhe i Xhihadit.

Qeveria franceze, ditë më parë miratoi në parlament zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme me qëllim të rritjes së masave të sigurisë, në mënyrë që kampionati evropian të kalojë pa incidente.

Në bazë të deklaratave të bëra nga ekspertët dhe përfaqësuesit e Agjensive Inteligjente, shtete që rrezikohen janë Italia, Gjermania, Belgjika, por edhe Britania e Madhe.

Temat
BotëLajme

Të afërta